Fadil Geci: Jemi familje shtetformuese, jo shtetpërfituese
Fadil Geci është prononcuar para Pallatit të Drejtësisë lidhur me seancën ndaj Gani Gecit.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Fadil Geci, vëllai i Gani Gecit, është deklaruar para mediave para Pallatit të Drejtësisë, ku në Gjykatën Themelore po mbahej seanca ndaj ish-deputetit të ndaluar nën dyshimet për kanosjen e gazetarit Lirim Mehmetaj. Geci u shpreh se familja e tij është angazhuar ndër vite për shtetndërtimin dhe mbrojtjen e tij.
«Ne jemi familje shtetformuese, jo shtetpërfituese. Krejt luftën tonë prej fillimit e kemi bërë për shtetin e Kosovës, për me mbrojtur Kushtetutën e Kaçanikut, edhe shtetin e Kosovës. Dhe për ata jemi sot këtu, në drejtim do të punojmë deri të vdesim, na si familje nuk kem tjetër qa me thonë», deklaroi ai.
Geci u bëri thirrje gazetarëve që të raportojnë drejt dhe të mos shpifin, duke shtuar se familja e tij e vlerëson shtetin edhe kur vendimet nuk janë në favor të tyre. Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj Gani Gecit.