Eurodeputeti kroat: Asnjë politikë s’e ndryshon faktin e agresionit serb
Davor Ivo Stier ka deklaruar se Kosova, Kroacia dhe Bosnja ishin viktima të agresionit të regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 1 min lexim
Eurodeputeti kroat, Davor Ivo Stier, ka deklaruar se asgjë nuk mund ta ndryshojë faktin se Kosova, Kroacia dhe Bosnja e Hercegovina ishin viktimat e agresionit të regjimit të ish-presidentit të Serbisë, Sllobodan Millosheviqit. Këtë deklaratë ai e bëri gjatë një interviste kur u pyet për procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Stier theksoi se ky është një fakt historik që nuk duhet të dobësohet apo anashkalohet nga asnjë politikë, duke shtuar se edhe Sllovenia ishte pjesë e një agresioni të nisur nga Serbia dhe presidenti i saj.
Duke folur për qëndrimet e autoriteteve serbe, eurodeputeti tha se ato duket se përmendin vetëm ndërhyrjen e NATO-s dhe bombardimet, por sillen sikur përpara bombardimeve nuk ndodhi asgjë. Ai shtoi se kishte një arsye pse u kryen ato bombardime, për të ndalur spastrimin etnik në Kosovë gjatë luftës së fundit të nisur nga Millosheviqi.