Priftërinjtë

Priftërinjtë, në fenë pagane persona që kryenin shërbesën fetare, flijimin etj. Grup shoqëror që merret me drejtimin e kultit fetar. Në shoqërinë pa klasa funksionet e priftit i kryenin zakonisht pleqtë e gjinisë, prijësit ushtarakë, më vonë kryetarët e familjeve. Në periudhën e dekompozimit të rendit primitiv dolën magjistarët e parë, fallxhorët, profetët dhe ndërmjetësit e tjerë midis njerëzve dhe atyre që ata i përfytyronin si forca të mbinatyrshme. Dalngadalë filluan të dalin priftërinjtë. Ata u formuan si një shtresë e veçantë, që zinte një pozitë të privilegjuar e që nganjëherë formonin edhe një kastë të mbyllur. Shtresa e priftërinjve ushtronte një ndikim të madh ekonomik e politik. Tempujt e Egjiptit të Vjetër

në shekullin XII para es. zotëronin toka të mëdha e mijëra skllevër. Duke përdorur fenë dhe kultin për qëllime të forcimit të shoqërisë skllavopronare, priftërinjtë ndihmonin në luftën e klasës sundonjëse kundër kryengritjeve të skllevërve dhe të masave të shtypura. Në Greqinë e Vjetër nuk kishte kastë të mbyllur priftërinjsh. Në qytetet greke cilido qytetar mund të kryente flijime, blatime dhe veprime të tjera të shenjta. Në Greqi priftërinjtë nuk kishin një ndikim të tillë, si në vendet e Lindjes së Lashtë. Përjashtim bënin priftërinjtë që interpretonin profecitë e orakullit të Delfit, të cilët gëzonin privilegje të mëdha dhe luanin një rol të madh politik. Priftërinjtë ishin zyrtarë shteti dhe zgjidheshin me short. Në epokën helenistike detyra e priftërinjve mund të blihej me para. Priftërinjtë nuk merrnin shpërblim, por në dobi të tyre kalonte një pjesë e mishit të kafshëve të flijuara dhe dhuratat e besimtarëve. Në Romën e Vjetër priftërinjtë ishin zyrtarë shtetërorë. Ata merrnin pjesë në qeverisjen e qytetit dhe ndikonin në politikën e vendit. Ata ishin të organizuar në kolegjiume që drejtonin kultin e komunës. Kolegjiumet e larta të priftërinjve në Romë ishin: pontifikët, flaminët, vestalet. Një rëndësi të madhe kishin augurët dhe haruspikët. Krishtërimi mori shumë gjëra nga priftërinjtë romakë. Papa i Romës edhe sot mban titullin e pontifikut të madh, kurse mbretërimi i papës quhet pontifikatë.

Shih edhe

Përmendet te