Elshani: Janë ekzekutuar pagesat për operatorët dhe pritet puna në shkolla
Kreu i Arsimit në Prishtinë bën të ditur se pagesat për operatorët janë kryer dhe paralajmëron ngritjen e një Task-Force për higjienën.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arianit Elshani, ka njoftuar se janë kryer pagesat për operatorët ekonomikë, pasi punëtorët teknikë kishin hyrë në grevë. Pagesat janë realizuar, ndërsa pritet që puna në çerdhe dhe shkolla të nisë përsëri sipas marrëveshjes së arritur dhe kontratave.
Gjatë ditëve në vijim do të themelohet një Task-Forcë e cila do të mbikëqyrë higjienën në të gjitha institucionet parashkollore dhe shkollore të kryeqytetit, duke kërkuar përgjegjësi nga punonjësit dhe operatorët. «Në ditët në vijim do të krijojmë një Task-Forcë për mbikëqyrjen e higjienës në çdo shkollë dhe çerdhe, për të kërkuar respektimin e plotë të standardeve higjieno-sanitare dhe përgjegjësi nga secili operator dhe çdo punonjës i Drejtorisë së Arsimit. Shëndeti i fëmijëve tanë është i panegociueshëm», deklaroi Elshani.