← Shqipëri
Live · Shqipëri · 23:09 · 17 Korrik 2026

Pse Elbasani tërheq vizitorë vendas e të huaj?

Turistët nga Franca, Gjermania dhe SHBA vijne të shohin historinë dhe mikpritjen e qytetit

— Elbasani vijon të mirëpresë çdo ditë dhjetëra turistë vendas e të huaj, të cilët kanë zgjedhur të zbulojnë historinë, kulturën dhe mikpritjen e qytetit. Sheshi i qytetit mbetet i gjallë gjatë gjithë ditës, i mbushur jo vetëm me banorët e qytetit, por edhe me vizitorë vendas e të huaj që shëtisin në zemër të qytetit të Ballokumeve.

Grupet turistike ndalojnë në pikat më të rëndësishme historike dhe kulturore, si Kalaja e Elbasanit, Kisha e Shën Mërisë, Xhamia Mbret, Muzeu Etnografik dhe Bazilika Paleokristiane, për të vijuar më pas drejt destinacioneve të tjera turistike.

Gjatë vizitës së tyre, ata njihen me historinë e lashtë të Elbasanit, por edhe me jetën moderne të qytetit. Atmosfera festive e krijuar nga aktivitetet kulturore të zhvilluara çdo ditë ka tërhequr vëmendjen e turistëve, të cilët janë bërë pjesë e tyre, duke u njohur nga afër me traditat, artin dhe kulturën elbasanase.

Vizitorët kanë ardhur nga Gjermania, Franca, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia, si edhe nga vende të Ballkanit. Shumë prej tyre janë shprehur të impresionuar nga mikpritja, bujaria dhe pasuria kulturore që ofron qyteti.

“Është hera e dytë që vij në Shqipëri dhe hera e parë në Elbasan. Me Shqipërinë u njoha gjatë periudhës së pandemisë COVID-19, kur përmes videove në YouTube zbulova një vend kaq të bukur. Sot ndodhem në Elbasan bashkë me bashkëshorten time, e cila po viziton Kalanë dhe dyqanet e suvenireve. Ajo që më ka bërë më shumë përshtypje është mikpritja dhe bujaria e njerëzve. Për këtë arsye kemi vendosur të qëndrojmë edhe një natë këtu”, shprehet John, turist nga Knoxville, Tennessee, SHBA.

Edhe pse një pjesë e madhe e vizitorëve janë turistë ditorë, përshtypjet që marrin nga Elbasani po i nxisin të zgjasin qëndrimin dhe ta rekomandojnë qytetin si një destinacion që ndërthur në mënyrë të veçantë historinë, traditën dhe mikpritjen shqiptare. Elbasani vazhdon të jetë një nga pikat më të rëndësishme të turizmit kulturor në vend, duke dëshmuar se, edhe në ditët më të nxehta të verës, historia, kultura dhe njerëzit e tij mbeten arsye të forta për ta vizituar.

Burim: KultPlus, kultplus.com

Reklamë · nga shtëpia
ZhurmaStudio
Përmbajtje, rrjete sociale, ueb dhe AI — nga ekipi që bën këtë faqe.
Njihu me Studion →
Lidhje nga arkiva

Të ngjashme

sipas temës · #shqiperi

Më të lexuarat sot

Top 10
Si ju la ky artikull?

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr për me e thanë mendimin.

Vure re një gabim në këtë artikull? Na shkruaj te zhurmapress@gmail.com — përgjigjemi brenda 72 orëve. · Standardet §6

Zbulo Zhurmën