Deficiti tregtar i Kosovës thellohet — 578 milionë euro në qershor
Deficiti tregtar arriti në 578.3 milionë euro, pas rritjes së importit në 680.3 milionë euro dhe eksportit prej vetëm 102 milionë eurosh.
PRISHTINË — Eksporti i mallrave të Kosovës në qershor arriti të mbulojë vetëm 15,0% të importit të përgjithshëm, duke thelluar deficitin tregtar. Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se ky deficit shënoi rritje prej 16,1% krahasuar me qershorin e vitit 2025.
Vlera e këtij deficiti tregtar arriti në 578,3 milionë euro, nga 498,3 milionë euro sa ishte vitin e kaluar. Kosova eksportoi mallra me vlerë 102,0 milionë euro, ndërsa importi shënoi 680,3 milionë euro, me një rritje prej përkatësisht 26,9% dhe 17,6%.
Sa i përket eksporteve, metalet bazë dhe artikujt e tyre prijnë me 27,4% të vëllimit. Ato ndiqen nga ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 12,7%, plastika dhe goma me 10,6%, artikujt e ndryshëm me 8,7%, si dhe produktet minerale me 7,1%.
Te importet, produktet minerale përbëjnë 15,2% të vlerës së përgjithshme. Makineritë dhe pajisjet elektrike përfaqësojnë 13,0% të blerjeve, mjetet e transportit marrin 12,0%, ushqimet e përgatitura shënojnë 11,9%, ndërsa metalet bazë dhe artikujt prej tyre mbyllin pesëshen me 9,8%.
Në shkëmbimet me Bashkimin Evropian, eksportet arritën në 32,5 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 17,7%. Gjermania është partneri kryesor me 10,1% të eksporteve. Ndërkaq, importet nga BE-ja arritën në 304,9 milionë euro, ku sërish Gjermania udhëheq me 13,3%.
Eksportet me vendet e CEFTA-s arritën në 44,0 milionë euro, kryesisht me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Importet nga këto vende shënuan 98,7 milionë euro, në kohën kur Kosova importon mallra nga Serbia duke regjistruar pjesëmarrje prej 3,0% të importeve të përgjithshme.
Me vendet e tjera, eksporti arriti në 25,5 milionë euro, i ndihmuar nga Zvicra, ndërsa importet kapën vlerën prej 276,7 milionë eurosh me Kinën dhe Turqinë si partnerë kryesorë. Kjo varësi e thellë nga importet e huaja vazhdon të dëmtojë rëndë qëndrueshmërinë e tregut vendor.
Burim: Koha.net
— Redaksia ZHURMA