Dyshime për mashtrim me karburantet mes Shqipërisë dhe Kosovës
SPAK nuk konfirmon dhe as mohon nisjen e një hetimi penal për skemën e dyshuar të mashtrimit me naftë.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Një skemë e mundshme mashtrimi me karburantet mes Shqipërisë dhe Kosovës ka ngritur dyshime për naftë të përzier me substanca të tjera dhe ujë të gjetur në maune që supozohej të ishin të mbushura me naftë. Çështja ka dalë në dritë përmes të dhënave të publikuara në Regjistrin e Kërkesave dhe Përgjigjeve të SPAK për muajin shtator 2026, pas një kërkesa për informacion nga një media nga Kosova.
Kërkesa drejtuar Prokurorisë së Posaçme kërkon të zbardhë nëse ka bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës, një skuadër të përbashkët hetimore, si dhe nëse substancat kanë hyrë përmes Portit të Durrësit apo pikave të tjera kufitare me destinacion Kosovën. Në fokus të interesit janë gjithashtu kompanitë me bazë në Shqipëri, masat hetimore përfshirë sekuestron preventive, dëmi i mundshëm financiar ndaj buxhetit të shtetit përmes shmangies së taksave dhe akcizës, si dhe përfshirja e mundshme e zyrtarëve të doganave, ministrive apo inspektorateve.
Në përgjigjen e dhënë më 2 tetor, Prokuroria e Posaçme ka zgjedhur të mos konfirmojë dhe as të mohojë ekzistencën e një hetimi. «Të dhënat në Regjistrin e Njoftimeve të Veprave Penale i nënshtrohen sekretit hetimor. Për rrjedhojë, nuk është e mundur të konfirmojmë ose të mohojmë regjistrimin e një kallëzimi apo ekzistencën e një procedimi penal», thuhet në përgjigjen e SPAK.