Çfarë dëshmoi Hyla Salihaj në gjykimin e krimeve të luftës në Istog?
Hyla Salihaj dëshmon në gjykimin e Momir Pantiqit dhe Zharko Zariqit për krime lufte në Istog.
PRISHTINË — \1 të enjten dëshmitarja Hyla Salihaj ka rrëfyer se si forcat policore serbe i kanë vrarë nëntë anëtarë të familjes së saj para syve të saj më 29 gusht 1999 në rajonin e Istogut.
"Neve na kanë qit prej aty, kur jemi dalë në oborr, jemi tubu tri gra e 14 fëmijë, tu dalë në oborr e kanë vra djalin e kunatit, 16-vjet, para syve të mi", ka thënë Salihaj në seancën gjyqësore kundër të akuzuarve për krime lufte Momir Pantiq dhe Zharko Zariq. Ajo ka shtuar se djemtë i kanë vrarë krejt: "Në familje tetë anëtar i kan vra. Edhe një nip ka qëllu aty, nëntë."
Salihaj ka deklaruar se i ka parë kufomat e anëtarëve të familjes pasi kushërinjtë e saj i kanë mbledhur për t'i varrosur, duke përshkruar gjendjen e tyre si "shumë të keqe". Ajo ka thënë se ka parë forca serbe me uniforma policie, por nuk i ka njohur personalisht. Gjithashtu ka deklaruar se në atë kohë kryeshef i Policisë së Istogut ka qenë i akuzuari Pantiq.
Në vazhdim të seancës ka dëshmuar edhe Fadil Mavraj për ngjarjet e 8 majit 1999 në fshatin Saradran, ku rreth 20 mijë banorë janë urdhëruar ta lëshojnë fshatin. Mavraj ka rrëfyer se kolona e civilëve është ndalur në Zallç nga forca paramilitare serbe me shirita të kuq dhe maska të zeza, ku djemtë e rinj janë mbyllur në një dyqan, u janë marrë dokumentet, paratë dhe stolitë. Ai ka thënë se rreth 100 persona janë ngarkuar në një kamion: "Na kanë shti në atë kamion 100 vetë… as kafshët aty nuk kish mund njeri me i shti."
Mavraj ka deklaruar se është dërguar në burgun e Gurakocit, ku është rrahur nga policët: "Të sillnin në kry, në shpinë, këmbëve, gjithkah në trup të njeriut." Ai ka thënë se pas tri ditësh është marrë në pyetje në zyrë ku ka parë Pantiqin të veshur civilisht së bashku me një prokuror që i ka thënë: "Pse jeni kanë në \1? … Çka po ju vyn UÇK-ja?"
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të ngritur më 1 shtator 2024, Pantiq dhe Zariq akuzohen për krime lufte kundër popullatës civile në Istog gjatë viteve 1998-1999, përfshirë dhunën sistematike në burgun e Dubravës më 19 maj 1999 ku mbetën të vrarë 3 të burgosur shqiptarë, vrasjen e 18 të burgosurve më 21 maj, si dhe dhunime seksuale të civilëve.
Burim: Zëri
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.