DAP nis kontrolllet e shtuara për qiratë afatshkurtra
Fokusi në të ardhurat nga dhënia me qira e kapaciteteve akomoduese
TIRANË — Drejtoria e të Ardhurave Publike ka nisur aktivitete të shtuara gjatë sezonit veror turistik, me fokus të veçantë te të ardhurat që personat fizikë i realizojnë nga dhënia afatshkurtër e kapaciteteve akomoduese. Nga DAP informohet se aktivitetet janë të orientuara drejt nxitjes së pajtueshmërisë vullnetare tatimore dhe sigurimit të kushteve të barabarta për të gjithë ata që ushtrojnë veprimtari në sektorin e turizmit.
DAP paralajmon udhëzime praktike për deklarimin e të ardhurave, komunikim të drejtpërdrejtë me tatimpaguesit, shkëmbim informacioni me institucione të tjera shtetërore dhe lokale, analiza të rrezikut dhe kontrolle të targetuara. Parashikohet edhe një fushatë informuese përmes mediave dhe rrjeteve sociale.
Institucioni rikujton se çdo e ardhur e realizuar nga dhënia me qira e kapaciteteve akomoduese i nënshtrohet tatimit sipas dispozitave ligjore dhe u bën thirrje qytetarëve t'i përmbushin me kohë detyrimet e tyre tatimore. Administrata njofton se do të vazhdojë me analiza dhe kontrolle të bazuara në rrezik, me synim zbatimin e barabartë të ligjeve dhe parandalimin e konkurrencës jolojale ndaj atyre që i përmbushin rregullisht detyrimet e tyre.
*Burim: Telegrafi, https://telegrafi.com/dap-me-kontrolle-te-shtuara-gjate-sezonit-turistik*
*— Redaksia ZHURMA*