Bërvenicë: Nesër mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar
Në Bërvenicë nis votimi për të sëmurët dhe të burgosurit, ndërsa nesër mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve të parakohshme për kryetar komune.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Raundi i dytë i zgjedhjeve të parakohshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës do të mbahet nesër, më 1 nëntor, ndërsa procesi i votimit për personat e sëmurë, të pafuqishëm dhe ata që vuajnë dënimin me burg ka filluar tashmë. Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, në këtë kategori të votuesve bëjnë pjesë 107 persona të sëmurë ose të pafuqishëm në 24 vendbanime të komunës, si dhe 9 persona në vuajtje të dënimit me burg, votimi i të cilëve po zhvillohet në tri institucione ndëshkuese-përmirësuese në Shkup, Shtip dhe Tetovë.
Procesi zgjedhor, i cili filloi në orën 07:00, do të monitorohet nga gjithsej 61 vëzhgues të akredituar, prej të cilëve 56 vendorë dhe 5 ndërkombëtarë. Në mesnatë ka hyrë në fuqi heshtja zgjedhore për këtë raund të dytë. Zgjedhjet e parakohshme në këtë komunë u thirrën pas vdekjes së papritur të ish-kryetarit Jovica Ilievski.
Në raundin e parë të mbajtur më 18 tetor, ku të drejtë vote kishin 16.256 qytetarë dhe pjesëmarrja ishte 46,56% me gjithsej 7.565 votues të regjistruar, asnjëri nga kandidatët nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme. Në garën e balotazhit për kryetar do të përballen kandidatët e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, pasi morën më së shumti vota në zgjedhjet e kaluara.