Bashkim Rushani humb jetën në Itali pasi e zuri dera metalike
Një 61-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në vendin e punës në Casarano të Italisë, pasi u bllokua poshtë një porte metalike.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 1 min lexim
Një 61-vjeçar me origjinë shqiptare, i identifikuar si Bashkim Rushani, ka humbur jetën tragjikisht gjatë mëngjesit të së mërkurës pas një aksidenti në vendin e punës në Casarano, në provincën e Leçes në Itali. Viktima, e cila ishte e lindur në Durrës dhe banuese prej vitesh në Casarano, ishte pronar i një kompanie ndërtimi, e njohur si shoqëri individuale «Bashkim».
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja e rëndë ka ndodhur gjatë punimeve në një banesë private në zonën e njohur si Contrada Spagnolo ose lagjja Spagnolo, ku 61-vjeçari mbeti i bllokuar poshtë një porte rrëshqitëse metalike që u rrëzua papritur mbi të. Në vendngjarje mbërritën menjëherë ekipet e emergjencës, por mjekët konstatuan vdekjen e tij në vend pasi nuk mundën të bënin asgjë për t'i shpëtuar jetën.
Pas aksidentit fatal, në zonë kanë mbërritur efektivët e Karabinierëve, si dhe inspektorët e SPESAL-it, struktura italiane përgjegjëse për parandalimin dhe sigurinë në vendin e punës, të cilët po kryejnë verifikimet dhe po hetojnë rrethanat e ngjarjes për të përcaktuar shkaqet që çuan në rrëzimin e portës.