AUV ndalon shitjen e mishit të pulës nga Brazili pas pranisë së Salmonellës
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë tërheq nga tregu produktet e mishit të ngrirë të pulës të importuara nga Brazili pasi u konstatua bakteri Salmonella Minnesota.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka urdhëruar tërheqjen nga tregu dhe ndalimin e përkohshëm të shitjes për disa produkte të mishit të ngrirë të pulës, të importuara nga Brazili përmes kompanisë Apetit SHPK, pasi në mostrat e analizuara u konstatua prania e bakterit Salmonella Minnesota. Këto kontrolle të jashtëzakonshme të mishit të importuar u urdhëruan nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja.
Produktet e përfshira në këtë vendim për ndalimin e qarkullimit i përkasin dy markave, ku bëjnë pjesë marka Coopavel me numër aprovimi SIF 3887 dhe LOT R-14427, si dhe marka Superfrango me numër aprovimi SIF 3404 dhe LOT R20598. Sipas AUV-së, ky bakter patogjen paraqet rrezik potencial për shëndetin e njeriut pasi mund të shkaktojë infeksione gastrointestinale, të cilat transmetohen përmes konsumimit të ushqimit të kontaminuar ose kontaminimit të kryqëzuar gjatë përgatitjes dhe trajtimit të mishit.
Institucioni u ka bërë thirrje qytetarëve që posedojnë produktet me këta numra të LOT-it që të mos i konsumojnë ato, por t'i kthejnë në pikat e shitjes. Ndërkohë, kontrollet e jashtëzakonshme po vazhdojnë për të verifikuar të gjithë sasinë e importuar, duke përfshirë gjurmueshmërinë nga hyrja në vend deri te pikat e shitjes, sasitë e shpërndara, kushtet e ruajtjes dhe analizat shtesë laboratorike në përputhje me Ligjin për Ushqim.
Operatori është përgjegjës për sigurinë, gjurmueshmërinë dhe tërheqjen e produkteve, ndërsa AUV do të mbikëqyrë zbatimin e masave për të përcaktuar trajtimin përfundimtar, përfshirë edhe asgjësimin kur është i nevojshëm. Më parë, në fund të shtatorit, institucionet e Malit të Zi ndaluan mbi 100 tonë mish të skaduar nga Brazili të importuar nga e njëjta kompani, për të cilin autoritetet malazeze deklaruan se kishte destinacion Kosovën dhe se ishte konstatuar tentativë për falsifikimin e tiketave të datave të skadimit.