Marco Guida caktohet të gjykojë derbin Milan – Inter në Serie A
Gjyqtari italian do të ndajë drejtësinë në sfidën e madhe të kësaj fundjave në stadiumin San Siro.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Gjyqtari Marco Guida është përzgjedhur për të drejtuar derbin e madh të Milanos mes Milanit dhe Interit, i cili do të zhvillohet të shtunën mbrëma nga ora 20:45 në stadiumin “San Siro”. Ndeshja do të transmetohet në ArtMotion, ndërsa për referin italian ky do të jetë derbi i gjashtë i Milanos në karrierë.
Në pesë përballjet e mëparshme të këtij derbi të drejtuara nga Guida, bilanci mes dy skuadrave është plotësisht i barabartë, ku secila ka regjistruar nga dy fitore dhe një ndeshje ka përfunduar në barazim. Sa i përket bilancit të përgjithshëm, ai ka drejtuar 41 ndeshje të Milanit, ku kuqezinjtë numërojnë 20 fitore, 11 barazime dhe 10 humbje, kurse te zikaltrit ka referuar në 33 ndeshje, me 17 fitore, 10 barazime dhe gjashtë humbje për Interin.
Gjatë këtij sezoni në Serie A, gjyqtari italian ka ushtruar drejtimin në tri ndeshje, duke ndëshkuar lojtarët me shtatë kartonë të verdhë dhe duke mos nxjerrë asnjë karton të kuq.