Autoritetet serbe ndalojnë hyrjen e delegacionit kosovar në kufi
Delegacioni kosovar është ndaluar në kufi nga autoritetet serbe gjatë udhëtimit për në Preshevë.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 1 min lexim
Autoritetet serbe ua kanë ndaluar hyrjen në Preshevë shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavcit, deputeteve Fatmire Kollçakut dhe Liza Gashit, si dhe këshilltarit politik të kryeministrit, Ragmi Mustafit. Delegacioni ishte nisur për të shprehur ngushëllime për kryetaren e kësaj komune, Ardita Sinani, pas vdekjes së babait të saj.
Nagavci bëri të ditur se policia serbe i ka ndaluar në pikën kufitare dhe i ka mbajtur për më shumë se dy orë pa dhënë asnjë arsye, para se t'i njoftonte se nuk mund të vazhdonin udhëtimin dhe se duhej të ktheheshin mbrapsht. Ajo theksoi se vizita ishte private dhe humanitare. Për shkak të ndalimit, ngushëllimet u përcjellën afër kufirit, ku Sinani shkoi së bashku me familjarët e saj për t'i takuar.
Analistët shqiptarë në Preshevë e kanë dënuar ndalimin dhe kërkojnë që çështja e vizitave të ndërsjella të rregullohet me parimin e reciprocitetit.