Stefan Lehne vlerëson se nuk ka kërcënim serioz për dhunë në Ballkanin Perëndimor
Ish-diplomati austriak ka deklaruar se aktualisht nuk ekziston një kërcënim serioz për shpërthimin e dhunës masive në rajon.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Ish-diplomati austriak Stefan Lehne ka vlerësuar se aktualisht nuk ekziston një kërcënim serioz për shpërthimin e dhunës masive në Ballkanin Perëndimor, duke bërë të theksuar se sfida kryesore për Bashkimin Evropian mbetet lufta në Ukrainë.
Në një bashkëbisedim me publicistin Veton Surroi në podcastin “PIKË”, Lehne ka thënë se rajoni ka shënuar rreth dy dekada stagnim, pavarësisht se ka pasur zhvillime pozitive ekonomike dhe përparim në normalizimin e marrëdhënieve mes vendeve. Sipas tij, nuk ekziston më një kërcënim vërtet serioz i një shpërthimi dhune masive në rajon dhe se nga pikëpamja e Bashkimit Evropian mund të jetohet me këtë situatë edhe për njëzet vjet të tjerë.
Ai ka shtuar se lufta në Ukrainë përbën një sfidë ekzistenciale për Bashkimin Evropian, duke paralajmëruar se një disfatë e mundshme e Ukrainës dhe dobësimi i mbështetjes evropiane do të kishin pasoja të rënda.