ATK dhe Policia kapin 27 biznese duke shmangur tatimin
Inspektorët lanë tetë ditë afat për regjistrimin e bizneseve, ndërsa ATK nisi analizën e historikut financiar për gjashtë vjetët e fundit.
MITROVICË — Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe inspektoratet përkatëse, ka zhvilluar një aksion të gjerë në rajonin e Mitrovicës ku ka zbuluar parregullsi dhe shmangie të detyrimeve tatimore në gjithsej 27 biznese nga 29 të kontrolluara gjatë këtij aktiviteti operativ.
Gjatë inspektimeve në terren, zyrtarët shtetërorë kanë evidentuar shkelje të shumta ligjore. Konkretisht, janë regjistruar tetë raste të moslëshimit të kuponëve fiskalë, shtatë raste të mungesës së arkës fiskale, tetë biznese krejtësisht të paregjistruara, si dhe gjashtë raste të punëtorëve të paregjistruar dhe katër raste të mosmbajtjes së librave financiarë.
Për të gjitha shkeljet e identifikuara në këtë aksion, ATK ka bërë të ditur se tashmë kanë filluar procedurat për rekomandim në Zyrën për Gjoba dhe Ndëshkime Administrative. Ndërkohë, për tetë bizneset e paregjistruara, inspektorët e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë kanë lënë një afat ligjor prej tetë ditësh për regjistrim.
Krahas gjobave, ATK ka nisur edhe një analizë të historikut të bizneseve për gjashtë vjetët e fundit për të zbuluar shkelje të tjera. Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, e cila ka iniciuar rastin si shmangie nga tatimi, ky aksion përfshiu kontrollin e 34 auto-parkingjeve në veri dhe jug të Mitrovicës, në Vushtrri dhe në Skenderaj.
Burim: Kallxo
— Redaksia ZHURMA