Apeli lë në fuqi aktakuzën për korrupsion ndaj Mujkës e Muzliukajt
Ish-zyrtarët e Mitrovicës dyshohen për keqpërdorim me pronën e ish-Bankosit që i shkaktoi shtetit 125 mijë euro dëm dhe fshehje të pasurisë.
PRISHTINË — Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke lënë në fuqi aktakuzën për korrupsion ndaj Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt. Ky vendim refuzon përfundimisht ankesat e mbrojtjes për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave të dorëzuara nga Prokuroria Speciale.
Sipas aktakuzës, Faruk Mujka në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës, dhe Hysen Muzliukaj si drejtor i Gjeodezisë në këtë komunë, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Ata ngarkohen për këmbimin e paligjshëm të pronës së ish-Bankosit me një parcelë private në rrugën "Ali Zeneli".
Prokuroria pretendon se të akuzuarit e kishin ditur se objekti prej 139 metrash katrorë nuk ishte pronë komunale, por administrohej nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Për më tepër, ndaj kësaj prone po zhvillohej një proces gjyqësor i iniciuar nga AKP-ja dhe Ndërmarrja Shoqërore "Jugobanka", fakt ky që ishte injoruar nga ish-zyrtarët.
Ky këmbim dyshohet se i ka shkaktuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit një dëm material prej 125 mijë e 100 eurosh. Krahas kësaj pike, Faruk Mujka ngarkohet edhe për mosraportim ose raportim të rremë të pasurisë, pasi në cilësinë e kryeshefit të ndërmarrjes "Ibër-Lepenc" kishte fshehur shuma të konsiderueshme parash në shtëpi.
Gjatë një bastisjeje të kryer më 15 korrik 2023 në shtëpinë e tij në Mitrovicë, gjatë zbatimit të urdhërkontrollit të gjykatës, ishin sekuestruar 60 mijë e 50 euro kesh. Prokuroria thekson se Mujka kishte detyrim ligjor t'i deklaronte këto mjete financiare pranë Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, por ai me vetëdije kishte shmangur plotësimin e rregullt të formularit.
Kolegji i Apelit, i kryesuar nga Albina Shabani-Rama me anëtarët Valon Kurtaj dhe Vaton Durguti, vlerësoi se pretendimet e mbrojtjes janë të pabazuara. Gjykata theksoi se Themelorja ka analizuar saktë provat paraprake, ndërsa fajësia ose pafajësia e ish-zyrtarëve do të vërtetohet gjatë shqyrtimit kryesor gjyqësor, pa paragjykuar epilogun përfundimtar të këtij rasti.
Dy të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur më 20 tetor 2025. Procesi ndaj tyre vazhdon në Departamentin Special të Prishtinës, pasi Prokuroria Speciale pati ngritur aktakuzën zyrtare më 9 shtator të po atij viti.
Burim: Lajmi.net
— Redaksia ZHURMA