Ambasada Amerikane: Protestat në Prishtinë mund të përshkallëzohen
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka lëshuar një paralajmërim për shtetasit e vet lidhur me protestat në kryeqytet.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 2 min lexim
PRISHTINË — Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka lëshuar një njoftim për shtetasit e saj, duke paralajmëruar se protestat që po zhvillohen në Prishtinë pritet të vazhdojnë edhe gjatë javëve të ardhshme. Siç raportoi Zhurma më 30 tetor 2026, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka reaguar lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, duke theksuar se mbrojtja e qytetarëve amerikanë mbetet prioritet kryesor, ndërsa tani bëhet e ditur se tubimet pritet të mblidhen kryesisht në qendër të kryeqytetit dhe mund të zgjerohen me shpejtësi në zonat përreth.
Sipas njoftimit të publikuar të enjten, më 12 nëntor, protestat mund të nisin në mënyrë paqësore, “por të përshkallëzohen shpejt pa paralajmërim, duke shkaktuar pengesa në trafik, në shërbime dhe, në disa raste, mbyllje të rrugëve”. Për më tepër, personeli i Ambasadës në Prishtinë gjithmonë këshillohet që të shmangë tubimet e mëdha.
Institucioni diplomatik ka paralajmëruar gjithashtu se para dhe gjatë protestave mund të ketë shtim të pranisë policore, devijim të qarkullimit dhe vështirësi në trafik. Qytetarët që ndodhen pranë këtyre zonave nxiten të tregojnë kujdes, t'i jepet përparësi sigurisë personale dhe të ndjekin mediat lokale e përditësimet e vetë Ambasadës.
Lexo edhe
Më shumë →Kjo histori — 3 zhvillime
- 30 tetor Ambasada amerikane: Siguria e qytetarëve tanë është prioritet
- 12 nëntor Ambasada Amerikane: Protestat në Prishtinë mund të përshkallëzohen · ky artikull
- 13 nëntor Ambasada Amerikane: Protestat mund të përshkallëzohen pa paralajmërim