ALTA Banka Manastir siguron klientët se është likuide pas zhvillimeve në Serbi
ALTA Banka AD Manastir njofton se është entitet juridik i pavarur dhe se depozitat e klientëve janë të sigurta.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Pas zhvillimeve të fundit në Serbi që lidhen me ALTA Bankën, ka reaguar ALTA Banka AD Manastir për të qetësuar klientët lidhur me gjendjen financiare dhe funksionimin e saj. Sipas deklaratës, kjo bankë është entitet juridik i pavarur i regjistruar në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe vepron nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të Bankës Kombëtare.
Nga banka bëhet e ditur se institucioni është likuid dhe vazhdon të punojë rregullisht pa ndërprerje në shërbime, ndërsa të gjitha degët dhe bankomatet janë në funksion. Klientët kanë qasje të papenguar në fondet e tyre, mund të tërheqin para të gatshme, të disponojnë depozitat dhe të kryejnë transaksione sipas kushteve të zakonshme.
Në njoftim theksohet se ngjarjet në Serbi nuk nënkuptojnë ndryshim në statusin juridik apo gjendjen financiare në Manastir, pasi banka operon në kushte të ndryshme dhe ka kapitalin, asetet e detyrimet e veta. Po ashtu, depozitat e individëve mbulohen nga Fondi i Sigurimit të Depozitave sipas kushteve dhe limiteve ligjore.