Zyrtarja që votoi kundër Kosovës koordinon Kadastrën e Ulqinit
Kryeministri Spajiq i thotë Kuvendit se Lacmanoviqi s'është emëruar zyrtarisht drejtoreshë, vetëm e autorizuar përkohësisht pas largimit të ish-shefit.
PODGORICA — Ana Lacmanoviqi, këshilltarja që votoi kundër njohjes së Kosovës, është autorizuar të koordinojë Njësinë Rajonale të Administratës së Pasurive të Paluajtshme në Ulqin. Emërimi i saj, zyrtare e Kadastrës në Tivar dhe këshilltare e Partisë Demokracia e Re Serbe në Plevlë, nxiti debat në Kuvendin e Malit të Zi.
Deputeti i Aleancës Shqiptare, Ilir Çapuni, e ngriti çështjen në Parlament, duke pyetur kryeministrin Milojko Spajiq si e komenton faktin që një zyrtare, e cila kishte votuar kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës, ushtron funksion drejtues në një institucion shtetëror në Ulqin.
Deklarata kundër njohjes së Kosovës u miratua javën e kaluar në Kuvendin Komunal të Plevlës, me propozim të Partisë Popullore Demokratike të Milan Knezheviqit. Këshilltarët kërkuan mosnjohjen e vendimit të Qeverisë së Malit të Zi të vitit 2008. Më herët, një deklaratë e ngjashme ishte miratuar edhe në komunën e Zetës.
Çapuni vuri në pikëpyetje nëse është në përputhje me parimet e neutralitetit politik që një zyrtare e administratës shtetërore të angazhohet njëkohësisht në veprime politike kundër politikës zyrtare të shtetit. Sipas tij, Ligji për Nëpunësit Civilë kërkon që zyrtarët të ushtrojnë detyrën në mënyrë të paanshme.
„Bëhet fjalë për votimin e një këshilltareje për një akt që sfidon vendimin e Qeverisë për njohjen e Kosovës”, deklaroi Çapuni. Sipas tij, çështja është veçanërisht e ndjeshme në Ulqin, komunë multietnike me shumicë shqiptare, ku Administrata e Pasurive të Paluajtshme vendos për regjistrimin e pronësisë dhe çështje të tjera pronësore.
Kryeministri Spajiq u përgjigj me shkrim se Lacmanoviqi nuk është emëruar zyrtarisht drejtoreshë e Njësisë Rajonale në Ulqin, as nuk është transferuar në atë pozitë. Asaj i është dhënë vetëm një autorizim i përkohshëm për të koordinuar punën dhe për të nënshkruar dokumente, pasi pozita e shefit ka mbetur vakante.
Spajiq tha se autorizimi u bazua në përvojën profesionale të Lacmanoviqit dhe se këshilltarët komunalë nuk kanë kompetencë mbi politikën e jashtme të Malit të Zi. Çapuni pyeti edhe çfarë do të ndodhte nëse një qytetar i Kosovës i drejtohej Kadastrës së Ulqinit me dokumente kosovare; Spajiq u përgjigj se çdo refuzim i paligjshëm do të sillte përgjegjësi penale.
Burim: Koha.net
— Redaksia ZHURMA