Zvicër: Refuzohet kërkesa për lirim e kosovarit pas të shtënave
Gjykata Federale e Zvicrës ka lënë në paraburgim një shtetas të Kosovës, i dyshuar për përfshirje në një incident me armë zjarri të ndodhur në prill të vitit 2005.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Gjykata Federale e Zvicrës ka refuzuar kërkesën për lirimin nga paraburgimi të një shtetasi të Kosovës, i cili po hetohet lidhur me të shtënat me armë zjarri të ndodhura më 26 prill 2025 para një qendre fitnesi në kantonin e Aargaut. Sipas dosjes gjyqësore, i dyshuari drejtonte automjetin, ndërsa nipi i tij qëlloi tetë herë në drejtim të një makine që transportonte dy vëllezër, duke plagosur njërin prej tyre në këmbë.
Autoritetet zvicerane theksojnë se ngjarja lidhet me një konflikt disavjeçar mes dy familjeve. Dy dëshmitarë deklaruan se automjeti i të dyshuarve kishte mbërritur me shpejtësi të lartë para se të largohej menjëherë pas gjuajtjeve. I dyshuari i kundërshton akuzat dhe pretendon se nuk ishte në dijeni se nipi i tij kishte armë ose për ndonjë sulm të planifikuar.
Gjykata vlerësoi se ekzistojnë dyshime të forta për bashkëpunim dhe se ekziston rreziku i arratisjes, duke marrë parasysh lidhjet e tij familjare në Kosovë, mundësinë e një dënimi afatgjatë dhe rrezikun e dëbimit. Masat alternative u konsideruan të pamjaftueshme, ndërsa i dyshuari u urdhërua të paguajë edhe shpenzimet gjyqësore.