Zjarr përhapet në Finiq dhe Delvinë, tre helikopterë në ajër
Flakët përfshinë territoret e Finiqit dhe Delvinës, duke rrezikuar banesa dhe detyruar disa banorë të largohen për siguri.
FINIQ — Temperaturat e larta dhe era e fortë kanë rikthyer situata kritike me zjarre në jug të Shqipërisë. Flakët përfshinë territoret e Finiqit dhe Delvinës, duke rrezikuar banesa dhe detyruar disa banorë të largohen. Për izolimin e flakëve u angazhuan tre helikopterë të Forcave Ajrore, krahas dhjetëra zjarrfikësve dhe forcave të Policisë së Shtetit; nuk raportohen persona të lënduar me rrezik për jetën.
Zjarri nisi në zonën e Matomares dhe, i ndihmuar nga kushtet e vështira atmosferike, u përhap drejt fshatrave Kostar dhe Mesopotam. Ndërhyrja nga ajri dhe toka u përqendrua në frenimin e përhapjes së zjarrit dhe mbrojtjen e zonave të banuara. Disa banorë u evakuuan pasi flakët iu afruan shtëpive, ndërsa situata më e vështirë u paraqit pranë fshatit Vllahat.
Në Mallakastër, flakët përfshinë një sipërfaqe të konsiderueshme dhe iu afruan puseve të naftës dhe disa banesave, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme të forcave në terren. Zjarre u shënuan edhe në Libofshë të Fierit dhe në periferi të Cërrikut, ku ndërhyrja në kohë e zjarrfikësve pengoi përhapjen e mëtejshme të flakëve.
Pas gjashtë ditësh përballje me zjarrin, u arrit të vihej nën kontroll vatra në zonën pyjore të Dardhës, në kufi me Sopotin, në Librazhd. Operacionet për shuarjen dhe monitorimin e vatrave vijojnë, ndërsa autoritetet mbeten në gatishmëri për situata të reja.
Burim: Ora News
— Redaksia ZHURMA




