Zjarret kërcënojnë fshatrat e Gjirokastrës — ndërhyjnë helikopterët
Mbi 100 zjarrfikës, ushtarë dhe punonjës bashkiakë po luftojnë me flakët që po përhapen me shpejtësi në fshatrat Panahor, Çyçen dhe Cfir.
GJIROKASTËR — Flakët e zjarrit po përhapen me shpejtësi në disa fshatra të qarkut të Gjirokastrës duke kërcënuar drejtpërdrejt zonat e banuara, gjë që ka bërë të domosdoshme ndërhyrjen e helikopterëve nga ajri për të parandaluar një katastrofë më të madhe në këtë zonë.
Në fshatin Panahor, zjarri vazhdon të digjet me intensitet mjaft të lartë, duke u përhapur në drejtim të fshatrave Çyçen dhe Cfir. Ndërkohë, një tjetër vatër mbetet aktive në Ngraçan, ku zjarret jashtë kontrollit në Mallakastër po avancojnë drejt zonave të banuara me intensitet më të ulët.
Sipas autoriteteve lokale, situata paraqitet tejet shqetësuese edhe në fshatin Riban, ku zjarri po përhapet në brendësi të një masivi të madh me pisha. Flakët tashmë kanë përfshirë edhe masivet pyjore të Ndrenies dhe Vloshtit, duke vështirësuar ndërhyrjen e forcave tokësore në këtë terren mjaft të thyer malor.
Për të menaxhuar këtë situatë kritike, në terren janë angazhuar menjëherë katër mjete zjarrfikëse dhe 25 efektivë të shërbimit zjarrfikës. Këtyre forcave u janë bashkuar edhe 30 punonjës të bashkisë lokale, si dhe 50 ushtarë nga Forcat e Armatosura, të cilët po punojnë për të lokalizuar vatrat aktive.
Për shkak të terrenit tejet të vështirë, masiveve të dendura pyjore dhe shtrirjes së madhe të zjarrit, ndërhyrja nga ajri mbetet e domosdoshme për shuarjen e plotë të flakëve. Autoritetet konfirmojnë se rreziku shtohet gjatë orëve të mesditës, duke bërë që forcat e angazhuara të jenë në gatishmëri maksimale.
Burim: ABC News
— Redaksia ZHURMA




