Zjarret rrezikojnë 5 fshatra në Fier — kërkohen 2 helikopterë
Në operacionin për shuarjen e flakëve janë angazhuar 50 ushtarë, 25 zjarrfikës dhe 30 punonjës bashkiakë.
FIER — Vatrat e zjarrit vijojnë të jenë aktive në fshatrat Panahor, Ngraçan, Riban, Drenie dhe Vlosht të qarkut të Fierit, ku është kërkuar ndërhyrja urgjente nga ajri me dy helikopterë. Flakët po luftohen në terren nga forcat e ushtrisë dhe shërbimit zjarrfikës.
Zjarri në zonën e Panahorit po përhapet me intensitet të lartë drejt fshatit Çyçen, me rrezik real për t’u zgjeruar edhe drejt Cfirit. Ndërkohë, në Ngraçan intensiteti i flakëve është më i ulët, por po monitorohet vazhdimisht për shkak të tendencës për t'u afruar pranë zonave të banuara.
Në fshatin Riban vatrat mbeten aktive brenda masivit me pisha, duke u përhapur drejt zonave pyjore të Drenies dhe Vloshtit. Për të parandaluar këtë përhapje, në operacion janë angazhuar katër mjete zjarrfikëse, 25 efektivë, 30 punonjës të bashkisë dhe 50 trupa të Forcave të Armatosura.
Vështirësia e terrenit, pyjet e dendura dhe rritja e temperaturave e bëjnë jetike mbështetjen e vazhdueshme nga ajri. Këto vatra të reja regjistrohen në kohën kur zjarret në Mallakastër kanë shkaktuar dëme të mëdha pyjore dhe kanë rrezikuar disa herë shtëpitë e banorëve vendas.
Burim: Top Channel
— Redaksia ZHURMA




