Zeqiri: Jam lindur dhe rritur në Danimarkë, por ëndërroj Kosovën
Mesfushori Enis Zeqiri flet për debutimin te Sonderjyske dhe dëshirën e madhe për të përfaqësuar Kosovën.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Mesfushori i talentuar Enis Zeqiri ka tërhequr vëmendjen në Danimarkë pasi ka regjistruar debutimin e tij me ekipin e njohur Sonderjyske, akademi ku janë formuar edhe lojtarë si Olti Hyseni dhe Albert Rrahmani. Edhe pse ka lindur dhe është rritur në Danimarkë, 18-vjeçari ka treguar se ka vetëm një shtetësi, atë të Kosovës, dhe se synon ta veshë fanellën dardane. Zeqiri zhvilloi minutat e parë në ndeshjen ku Sonderjyske u mposht nga Horsens. I riu ka treguar se fillimisht ishte paraparë vetëm të ftohej, por trajneri e përfshiu në bankën rezervë pas shikimit të disa videove dhe më pas e thirri për të hyrë në fushë rreth minutës së 80-të. «Kur u futa në lojë isha jashtëzakonisht i emocionuar», ka deklaruar ai, duke shtuar se debutimi i shërben si motiv për të punuar edhe më fort. Ai ka theksuar se synon të nënshkruajë një kontratë profesionale, të bëhet pjesë e rregullt e ekipit të parë dhe në të ardhmen të transferohet në një klub të madh evropian. Megjithatë, Zeqiri ka bërë të ditur se deri më tani nuk është kontaktuar nga Federata e Futbollit të Kosovës apo ajo e Shqipërisë, por shpreson që në të ardhmen të ketë mundësinë të luajë për Kombëtaren e Kosovës.