Zbulohet një trup i pajetë brenda një valixheje në qendër të Athinës
Trupi i pajetë i një gruaje u gjet brenda një valixheje të braktisur në zonën Agios Panteleimonas, pasi një kalimtar njoftoi autoritetet.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Një ngjarje e rëndë ka tronditur kryeqytetin grek mbrëmjen e së dielës, pasi trupi i pajetë i një njeriu është gjetur i futur brenda një valixheje në anë të rrugës, në lagjen “Agios Panteleimonas” të Athinës. Valixhja e braktisur në trotuar u zbulua pasi një shtetas i huaj 28-vjeçar po kalonte pranë vendit të ngjarjes, ndjeu një erë të fortë dhe njoftoi menjëherë forcat e rendit. Pas mbërritjes në krye të rrugëve Alkamenous dhe Charissis, efektivët e policisë konstatuan se brenda valixhes ndodhej një trup njeriu dhe rrethuan zonën me prani të madhe policie.
Fillimisht kishte dyshime dhe u raportua se trupi i përkiste një burri, ndërsa më vonë u bë e ditur se bëhej fjalë për një grua, e cila dyshohet se është me origjinë afrikane. Në vendngjarje ka mbërritur një ekspert i mjekësisë ligjore për të kryer ekzaminimet përkatëse dhe për të mbledhur prova, ndërkohë që autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes. Deri më tani, identiteti i viktimës, shkaku i vdekjes dhe mënyra se si valixhja ka mbërritur në atë zonë mbeten ende të panjohura.