Vushtrria nderoi Ispahiun e Halilin në 27 vjetorin e çlirimit
Kush u nderua me çmimet më të larta në 27 vjetorin e çlirimit të Vushtrrisë?
VUSHTRRI — Komuna e Vushtrrisë shënoi të mërkurën, më 17 qershor, 27 vjetorin e çlirimit me Akademi Solemne në Sheshin "Adem Jashari". Kuvendi i Komunës ndau çmimet më të larta: fotografi Nesim Ispahiu u shpall "Nderi i qytetit" dhe veterani i UÇK-së Januz Halili mori dekoratën "Emblema e Vushtrrisë".
Ispahiu u nderua për kontributin e tij në zhvillimin e jetës kulturore, edukimit qytetar dhe vlerave njerëzore që ka përcjell ndër breza. Kryetari i Komunës, Ferit Idrizi, i prezantoi të dy si personat që Kuvendi vendosi t'i nderojë me çmimet më të larta të kësaj dite.
Duke marrë dekoratën, Ispahiu tha se sakrifica e heronjve nuk duhet harruar. "Njeriu në këto momente nuk mund ta ndjejë atë çfarë e ndjen, por i përjeton krejt këto ngjarje që kanë ndodhur, e frytet e atyre ngjarjeve i përjeton këto ditë," tha fotografi i njohur, duke shtuar se Vushtrria njihet për mikpritje dhe gjithë ata që e vizitojnë njëherë vijnë përsëri.
Halili u nderua për guximin dhe sakrificën për çlirimin e vendit. Veterani qe i shkurtë: "Përshëndetje për të gjithë dhe ju urojë ditën e çlirimit të Komunës së Vushtrrisë," tha ai.
Krahas dy nderimeve kryesore, u ndanë edhe shumë mirënjohje të tjera për veteranët e UÇK-së — disa edhe post mortum — si dhe personalitete tjera të qytetit. Idrizi tha se çlirimi i Vushtrrisë është "kujtesë e përhershme e sakrificës së bijave dhe bijve më të mirë që dhanë jetën për lirinë e vendit".
"Sot është një ditë e veçantë edhe për faktin se jemi tubuar për të festuar këtë ditë të shenjtë," tha Idrizi, duke theksuar se 17 qershori është dita "më domethënëse" për qytetarët e Vushtrrisë dhe se nderimi i atyre që kontribuan për lirinë e ndërtimin e vendit "e madhështon edhe më shumë" ditën.
Akademia u mbyll me program artistik: këngëtarët Arbnora Zogjani dhe Ismet Bexheti, program me fëmijë dhe performanca nga Ansambli "Hasan Prishtina". Aktivitetet u organizuan nga Komuna e Vushtrrisë në bashkëpunim me shoqatat e dala nga Lufta e UÇK-së.
Burim: Kallxo
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.