Ndërron jetë në moshën 56-vjeçare veprimtarja Lisa Milicaj Bajraktari
Këshilltarja e parë shqiptare në Pleasantville u bë e njohur kur mori pjesë me plis të bardhë në Fjalimin Vjetor të Presidentit Donald Trump.
NJU JORK — Veprimtarja dhe ish-këshilltarja shqiptaro-amerikane Lisa Milicaj Bajraktari ka ndërruar jetë parakohë në moshën 56-vjeçare. E rritur në një familje mërgimtarësh nga Kosova, ajo u bë gruaja e parë shqiptare e zgjedhur në pushtetin lokal në shtetin e Nju Jorkut, duke shërbyer si këshilltare bashkiake në Pleasantville.
Milicaj ishte bashkëshortja e biznesmenit dhe veprimtarit të njohur Harry Bajraktari dhe u dallua për angazhimin e saj në komunitet. Përveç karrierës politike, ajo ndërtoi një biznes të suksesshëm duke themeluar kompaninë e sigurimeve tregtare First Insurance Agency, për të cilën u nderua me çmime të ndryshme për kontributin e saj në rajon.
Në janar të vitit 2018, ajo tërhoqi vëmendjen e opinionit publik kur u shfaq me plisin e bardhë tradicional shqiptar dhe bëri simbolin e shqiponjës gjatë Fjalimit Vjetor të Presidentit Donald Trump në Kongresin Amerikan. Ajo kishte krijuar lidhje të forta me rrethet konservatore amerikane, duke i përdorur ato për mbrojtjen e çështjes shqiptare.
Historia e familjes së saj mbart një rezistencë të gjatë ndaj dhunës së shtetit malazez, i cili synonte sllavizimin e shqiptarëve katolikë duke i detyruar të regjistroheshin si ortodoksë. Të parët e saj nuk iu nënshtruan këtij presioni dhe iu bashkuan lëvizjes së Bajram Currit, duke u shpërngulur pasi ushtria ua dogji shtëpitë.
Trashëgimia dhe karakteri këmbëngulës i Milicajt u pasqyruan gjatë gjithë jetës së saj publike në Shtetet e Bashkuara, ku ajo mbrojti me guxim parimet e veta në Pleasantville. Vdekja e saj në moshën 56-vjeçare është shoqëruar me reagime të shumta nga familjarët dhe bashkëpunëtorët në komunitetin shqiptaro-amerikan.
Burim: Illyria
— Redaksia ZHURMA