Ksamili mbush plazhet me turistë në ditët e fundit të korrikut
Operatorët lokalë raportojnë rezervime të konsiderueshme që në fillim të vitit, veçanërisht nga Evropa Veriore, Qendrore dhe Ballkani.
KSAMIL — Sezoni turistik veror ka sjellë një fluks të lartë pushuesish në këto ditë të fundit të korrikut në Ksamil, një nga destinacionet më të frekuentuara të bregdetit shqiptar. Ujërat e kristalta të detit Jon, ishujt e vegjël përballë bregut dhe peizazhi natyror vijojnë të jenë ndër arsyet kryesore që turistët zgjedhin këtë zonë.
Që në orët e para të mëngjesit, plazhet mbushen me vizitorë nga vende të ndryshme të Evropës dhe rajoni. Familje dhe grupe të rinjsh kanë zgjedhur Ksamilin për të kaluar pushimet, duke ndikuar edhe në rritjen e aktivitetit të strukturave akomoduese dhe bizneseve lokale.
Sipas operatorëve lokalë, rezervimet në strukturat akomoduese kanë qenë të konsiderueshme që në fillim të vitit, veçanërisht nga tregjet e Evropës Veriore, Evropës Qendrore e Ballkanit, por edhe nga vende të ndryshme të botës. Këta vizitorë po zgjedhin Ksamilin jo vetëm gjatë muajve korrik dhe gusht, por gjithnjë e më shumë në periudhat maj-qershor dhe shtator-tetor.
Ksamil vijon të mbetet një nga pikat kryesore turistike të Shqipërisë, duke kombinuar detin e pastër, natyrën dhe atmosferën mesdhetare. Destinacioni vijon të tërheq çdo vit mijëra vizitorë dhe luan rol të rëndësishëm në zhvillimin e turizmit në jug të vendit.
Burim: ATSH
— Redaksia ZHURMA