Turistët e huaj mahniten nga Rugova
Vizitorët thonë se natyra dhe mikpritja janë ndër arsyet kryesore pse meriton të vizitohet
PRISHTINË — Turizmi në Kosovë po zgjon gjithnjë e më shumë interesin e vizitorëve të huaj, veçanërisht për destinacionet malore dhe turizmin në natyrë. Ndër destinacionet që po tërheqin vëmendje të veçantë është edhe Lugina e Rugovës.
Turistë nga Belgjika dhe Gjermania, të cilët pas një udhëtimi disa mujor nëpër Ballkan vendosën ta vizitojnë edhe Kosovën, thonë se natyra e paprekur, qetësia dhe mikpritja janë ndër arsyet kryesore pse Rugova meriton të vizitohet nga shumë më tepër turistë.
“Kur vozit nëpër Grykë është spektakolare. Pastaj ngjitesh në Parkun Kombëtar dhe është sikur të jesh në Alpe, por me shumë më pak njerëz. Dje ecëm për pesë orë dhe takuam vetëm një person”, ka thënë një turist nga Belgjika.
Përveç peizazheve, vizitorët thonë se përshtypje të veçantë u ka lënë edhe mikpritja. Nga kampingu në Gjakovë e deri te banorët e Rugovës, ata thonë se janë ndier të mirëpritur që në ditën e parë të udhëtimit.
Në Rugovë, vizitorët nuk provuan vetëm shtigjet malore. Turisti belg, 65-vjeçar, përfundoi edhe tri Via Ferrata, duke e cilësuar zonën si të sigurt dhe të përshtatshme për adhuruesit e aventurës, pavarësisht moshës.
Sipas turistëve, potenciali i Kosovës për zhvillimin e turizmit në natyrë ende nuk është shfrytëzuar plotësisht. Ata vlerësojnë se zhvillimi duhet të fokusohet më shumë në kampingje dhe përvoja në natyrë, sesa në ndërtimin e hoteleve.
Mesazhi i tyre për Kosovën ishte i qartë. “Nga të gjitha vendet që kemi vizituar, Kosova dhe shqiptarët janë ndër njerëzit më mikpritës që kemi takuar. Kjo është e rrallë sot dhe është arsyeja pse do ta rekomandojmë këtë vend edhe për të tjerët”, ka thënë turisti belg.
Burim: Gazeta Express
— Redaksia ZHURMA