Kurti pret delegacionin e klubit FC Dardania Basel
Kryeministri ka pritur në Zyrën e Kryeministrit një delegacion të klubit të themeluar në vitin 1993 nga bashkatdhetarët në Zvicër.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka pritur në Zyrën e Kryeministri delegacionin e klubit FC Dardania Basel, i themeluar në vitin 1993 nga bashkatdhetarët shqiptarë në Zvicër. Gjatë takimit, Kurti ka vlerësuar lart rolin e klubeve sportive të mërgatës në edukimin e të rinjve, duke shtuar se ato ndihmojnë në zhvillimin e disiplinës, punës në ekip dhe vetëbesimit, si dhe në ruajtjen e lidhjeve me prejardhjen shqiptare.
Në një postim në rrjetin social Facebook, kryeministri ka theksuar se në Zvicër jetojnë mbi 300 mijë shqiptarë dhe zviceranë me prejardhje shqiptare, të cilët kontribuojnë në jetën kulturore e ekonomike. Ai ka rikujtuar se shumë futbollistë me prejardhje shqiptare kanë mbrojtur ngjyrat e Zvicrës ose kanë zgjedhur Shqipërinë, ndërsa klubet e mërgatës shërbejnë si hapësirë e rëndësishme për hapat e parë në sport.
Delegacioni i këtij klubi do të zhvillojë një ndeshje miqësore kundër KFV Lipjan. Duke folur për këtë përballje, Kurti ka vlerësuar se në këtë ngjarje ndërmjet skuadrës së mërgatës dhe asaj të vendlindjes «fiton para së gjithash lidhja jonë».