Sulejmani: VLEN vendos këto ditë për mbështetjen në raundin e dytë
Zëdhënësi i VLEN-it, Driton Sulejmani, konfirmoi se kandidati i tyre nuk e kaloi raundin e parë të zgjedhjeve në Bërvenicë.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Zëdhënësi i partisë VLEN dhe zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, ka deklaruar se kandidati i tyre nuk ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme për të kaluar në raundin e dytë të zgjedhjeve në komunën e Bërvenicës. Duke përgëzuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, ai ka uruar kundërkandidatin Arkin Jahiji nga Fronti Evropian për kalimin në balotazh.
Sulejmani u shpreh se pavarësisht programit me zgjidhje për problemet e zonës, verdikti i qytetarëve ishte ndryshe, ndërsa theksoi se koalicioni do të vazhdojë t'i mbështetë vendbanimet me shumicë shqiptare. «Pa dyshim që edhe përskaj të këtij rezultati zgjedhor VLEN do të vazhdojë t’i mbështesë vendbanimet me shumicë shqiptare dhe nga kjo nuk përjashtohet as komuna e Bërvenicës», deklaroi ai. Për çështjen e mbështetjes së ndonjë kandidati në raundin e dytë, Sulejmani bëri të ditur se kryesia e partisë do të mblidhet gjatë këtyre ditëve për të marrë një vendim.