Strategjia e re e BE-së sjell përfitime për Shqipërinë dhe rajonin
Komisioni Evropian ka prezantuar një qasje të re për afrimin e vendeve kandidate përmes integrimit gradual, duke ofruar lehtësira në pagesa, transport dhe arsim.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Komisioni Evropian ka prezantuar një dokument strategjik të titulluar “Mekanizmat e integrimit gradual përgjatë kapitujve të anëtarësimit”, i cili synon afrimin e vendeve kandidate me politikat evropiane pa pasur nevojë të presin anëtarësimin e plotë. Përfitimet do të lidhen drejtpërdrejt me përparimin e secilit vend në reformat dhe negociatat përkatëse.
Një nga hapat konkretë është përfshirja e Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Moldavisë në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), çka u mundëson qytetarëve dhe bizneseve transferta në euro me kosto më të ulëta dhe procedura më të shpejta. Ndërkohë, po punohet për shtrirjen e skemës “Roam Like at Home” në Ballkanin Perëndimor, pasi Ukraina dhe Moldavia janë përfshirë në këtë zonë prej 1 janarit 2026, duke lejuar përdorimin e telefonit pa tarifa shtesë roaming.
Strategjia parashikon gjithashtu lehtësira në tregti përmes “Korsive të Gjelbra” për kalimin e mallrave në pikat kufitare, si dhe mundësi përmes programit Erasmus+, ku gjatë viteve 2021–2025 janë përfshirë rreth 25 mijë studentë dhe staf akademik nga vendet e zgjerimit. Për të koordinuar këtë proces, Komisioni do të nisë dialogët gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, ndërsa pjesëmarrja mbetet e kushtëzuar nga reformat dhe sundimi i ligjit, me mundësi pezullimi në rast regresi.