Vazhdo leximin
⌕ ☆
Ekonomi

Gjermania shqyrton përgjysmimin e kuotës së lejeve të punës për rajonin

Qeveria gjermane planifikon të ulë nga 50 mijë në 25 mijë kuotën vjetore të lejeve të punës për Ballkanin Perëndimor duke filluar nga 1 janari 2027.

Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim

Qeveria gjermane po shqyrton mundësinë e uljes së kuotës vjetore për miratimin e lejeve të punës për qytetarët e Ballkanit Perëndimor nga 50 mijë në 25 mijë, sipas një projekt-rregulloreje të Ministrisë Federale të Punës të publikuar në gazetën gjermane «Allgemeine Bauzeitung». Kjo skemë, e njohur si Rregullorja e Ballkanit Perëndimor, mundëson që qytetarët nga Shqipëria, Kosova, Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut të punësohen në Gjermani me procedura të lehtësuara nëse kanë një ofertë konkrete pune, duke përfshirë edhe personat pa një kualifikim profesional të njohur atje. Propozimi për këtë ndryshim, që pritet të shqyrtohet nga qeveria federale, ka ngritur shqetësime në sektorin e ndërtimit, ku rreth 35 për qind e vizave të lëshuara përmes kësaj rregulloreje përfundojnë te kompanitë e këtij sektori.

Gjermania shqyrton përgjysmimin e kuotës së lejeve të punës për rajonin
Foto: boldnews.al

Shoqata Qendrore Gjermane e Ndërtimit (ZDB) ka dalë kundër kësaj nisme, duke vlerësuar se përgjysmimi i kuotës mund t'i kushtojë sektorit rreth 9 mijë punëtorë dhe do të rëndojë më tej mungesën e fuqisë punëtore. Kreu i ZDB-së, Felix Pakleppa, i ka bërë thirrje qeverisë të mos e miratojë këtë shkurtim, duke argumentuar se sektori varet ndjeshëm nga punonjësit e huaj dhe se çdo i shtati punonjës në ndërtim mban një pasaportë të huaj. Sipas tij, një kufizim i tillë do të vështirësonte realizimin e projekteve për ndërtimin e banesave, rinovimin e urave dhe zgjerimin e rrjeteve energjetike. Organizata thekson se 98 për qind e personave që kanë hyrë në tregun gjerman përmes kësaj rregulloreje janë të punësuar, ndaj kërkon që qeveria të përqendrohet te përshpejtimi dhe digjitalizimi i procedurave në vend të uljes së kuotave.

Lexo edhe

Më shumë →
Facebook WhatsApp X
LIVE Ulpianë, Prishtinë 26 kamera →
Pyet Zhurmën
Shërbime, enciklopedi dhe lajme