Si do të dukej Kosova me Kukësin dhe Rozhajën si kufi europian?
Çfarë paralajmëron Agon Maliqi për rrezikun e izolimit të Kosovës nëse dialogu me Serbinë mbetet në stagnim?
PRISHTINË — Analisti politik Agon Maliqi ka publikuar një hartë të mundshme që tregon se si mund të evoluojë rajoni nëse shtetet fqinje të Kosovës, përveç Serbisë, anëtarësohen në Bashkimin Europian.
Maliqi paralajmëron se Kosova rrezikon të mbetet e izoluar nëse nuk del nga "dehja dhe dalldia populliste dhjetëvjeçare" mbi dialogun me Serbinë, i ndërmjetësuar nga Brukseli.
Sipas tij, brenda 3-5 viteve, kufiri europian i Kosovës mund të kufizohet vetëm në Kukës dhe Rozhajë, duke e lënë vendin jashtë integrimeve të rajonit. "Rezultati ironik i 'sovranistëve' që luftojnë Serbinë nga brenda, do të jetë ngulitja edhe më e thellë e Kosovës në orbitën e 'botës serbe'", shkruan Maliqi.
Ai thekson se dështimi i dialogut ka qenë "synimi dhe ëndrra e nacionalistëve serbë", por shton se më pak e kuptueshme është pse ky synim ka gjetur mbështetje edhe në "dalldinë jonë populiste".
Ndërkohë, Mali i Zi dhe Shqipëria po ecin me hapa të shpejtë drejt anëtarësimit në BE, me Malin e Zi që shihet si i gatshëm për anëtarësim deri në 2027, dhe Shqipërinë deri në 2030. Maqedonia e Veriut ka filluar negociatat, ndërsa Kosova mbetet e vetmja në rajon që nuk ka kaluar as fazat fillestare të aplikimit.
Procesi i dialogut Kosovë-Serbi është bllokuar për shkak të mungesës së institucioneve stabile në Kosovë. Takimi i nivelit të lartë, i paralajmëruar nga shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, u shty për shkak të zgjedhjeve të reja pas dështimit të zgjedhjes së Presidentit.
Burim: Demokracia
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.