Pse u rendit Shqipëria mes destinacioneve më të lira për të udhëtuar në Evropë?
Sipas medias spanjolle “El Generacional”, Shqipëria ofron plazhe me ujëra të kristalta dhe trashëgimi kulturore
— Shqipëria është renditur mes destinacioneve më të lira për të udhëtuar në Evropë këtë verë, sipas medias spanjolle “El Generacional”. Sipas artikullit, Shqipëria spikat për kombinimin e plazheve me ujëra të kristalta, trashëgimisë kulturore dhe kostos së ulët të pushimeve.
Me ardhjen e verës, shumë turistë kërkojnë të zbulojnë vende të reja dhe të shkëputen nga rutina pa shpenzuar shumë para. Udhëtimi nëpër Evropë shpesh lidhet me përvoja kulturore, monumente historike dhe peizazhe të pakrahasueshme. Megjithatë, në shumë raste, çmimet janë tepër të larta.
Përtej qyteteve më të njohura evropiane, ka shumë vende që mund të ofrojnë të njëjtën bukuri dhe përvoja të paharrueshme, pa pasur nevojë për një buxhet të madh. Shqipëria rekomandohet si një nga vendet më të përballueshme për të udhëtuar në Evropë këtë verë.
Shqipëria është shndërruar në një nga destinacionet më tërheqëse për turistët që kërkojnë të kalojnë verën në plazhe parajsore, nën rrezet e diellit. Bregdeti i saj, i njohur për detin e kristaltë dhe rërën e është i ngjashëm me plazhet e Greqisë, por me çmime shumë më të përballueshme.
Buxheti ditor mund të variojë nga 25 deri në 40 euro për person, duke e bërë Shqipërinë një nga alternativat më ekonomike në Mesdhe. Gjithashtu, vendi ofron një gamë të gjerë aktivitetesh.
Për vizitorët që preferojnë turizmin kulturor, veçohen Berati, i njohur për shtëpitë e stilit osman dhe tre lagjet e shpallura Pasuri Botërore të UNESCO-s; Gjirokastra, e njohur për kështjellën e saj mesjetare; si edhe kryeqyteti, Tirana. Ndërsa për turistët që kërkojnë pushime ku mbizotërojnë dielli dhe plazhi, Ksamili është një nga zonat bregdetare më të njohura të vendit.
Ai dallohet për detin e tij ngjyrë bruz dhe afërsinë me ishujt e vegjël përreth. Gjithashtu, Shqipëria ofron edhe fshatra alpine ideale për ecje në natyrë, si Lugina e Thethit.
Burim: ATSH, https://ata.gov.al/2026/07/07/el-generacional-nga-ksamili-ne-theth-shqiperia-mes-destinacioneve-me-te-perballueshme-ne-evrope/
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.