Pse po merr kompetenca më të gjera Shërbimi Informativ i Shtetit?
Institucioni do të mbledhë informacion edhe për kërcënimet ndaj sigurisë ekonomike, sulmet kibernetike dhe infrastrukturën kritike
TIRANË — Shërbimi Informativ i Shtetit (SHISH) në Shqipëri pritet të marrë kompetenca më të gjera – për herë të parë që nga miratimi i ligjit të tij themelor në vitin 1998. Ligji i ri u mirua nga Kuvendi i Shqipërisë më 2 korrik 2026 dhe hyn në fuqi pas publikimit në Fletorën Zyrtare, ende pa dekreta nga presidenti i shtetit. Përveç detyrave tradicionale në fushën e kundërzbulimit dhe sigurisë kombëtare, institucioni do të ketë mandat të mbledhë informacion edhe për kërcënimet ndaj sigurisë ekonomike, sulmet kibernetike, kërcënimet hibride dhe infrastrukturën kritike. Njëkohësisht, zgjerohen kompetencat për monitorimin e aktivitetit të shërbimeve të huaja të inteligjencës, ekstremizmit dhe çështjeve që lidhen me stabilitetin e brendshëm dhe rajonal.
Qeveria argumenton se ndryshimet janë të domosdoshme për t’iu përgjigjur sfidave të reja të sigurisë, të cilat nuk ekzistonin kur u hartua ligji aktual. Në relacionin shoqërues thuhet se siguria ekonomike është tashmë pjesë e sigurisë strategjike të një shteti, ndërsa sulmet kibernetike dhe kërcënimet hibride përbëjnë ndër sfidat më serioze për institucionet publike, ekonominë dhe infrastrukturën kritike. Opozita dhe ekspertë të sigurisë nuk e kundërshtojnë nevojën për modernizimin e ligjit, por paralajmërojnë se zgjerimi i kompetencave nuk është shoqëruar me garanci të mjaftueshme për kontrollin demokratik të institucionit.
Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, thotë për Radion Evropa e Lirë se ligji i jep institucionit më shumë fuqi dhe qasje në informacion, pa përcaktuar qartë kufijtë e veprimtarisë dhe mënyrën se si do të kontrollohet ushtrimi i këtyre kompetencave. "T'i japësh më shumë fuqi dhe pushtet pa kërkuar rritjen e kontrollit dhe pa specifikuar kufijtë e këtij institucioni, mendoj se po i hapim derën një situate të rrezikshme, me të cilën duhet të përballemi nesër", thotë Balliu. Eksperti i sigurisë, Gert Metani, vlerëson se zgjerimi është në përputhje me praktikat e vendeve të NATO-s dhe me evolutionin e kërcënimeve moderne, por vëren se disa formulime mbeten tepër të gjera. Sipas tij, dispozita për "stabilitetin e brendshëm dhe rajonal" mund të krijojë hapësirë për interpretime të gjera pa kufizime ligjore dhe mbikëqyrje efektive parlamentare e gjyqësore. "Duke njohur klimën politike shqiptare, ekziston rreziku që dispozita të tilla të keqpërdoren në dëm të lirive dhe të drejtave të qytetarëve", thotë Metani.
Ligji i ri e përjashton SHISH-in edhe nga detyrimet që rrjedhin nga Ligji për të Drejtën e Informimit, pra institucionin nuk do t'u nënshtrohet të njëjtave rregulla transparence si entet e tjera publike. Qeveria argumenton se kjo është praktikë edhe në vende të tjera, duke përmendur shërbimet inteligjente britanike, gjermane dhe amerikane. Opozita nuk kundërshton mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, por argumenton se përjashtimi i plotë rrezikon të kufizojë llogaridhënien publike. Deputetja Jorida Tabaku propozon përjashtimin vetëm të informacioneve të ndjeshme, ruajtur transparencë minimale për çështje administrative dhe financiare.
Një tjetër pikë përplasjeje është deklarimi i pasurisë. Ligji parashikon që punonjësit e SHISH-it të mos i deklarojnë më të ardhurat dhe pasurinë pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, por kontrolli të kryhet nga një strukturë e posaçme brenda vetë SHISH-it. Qeveria thotë se edhe niveli i pagave konsiderohet informacion i klasifikuar. Tabaku dhe Metani kërkojnë një zgjidhje tjetër: deklarimi të zhvillohet në një regjim të klasifikuar, duke ruajtur njëkohësisht sekretin shtetëror dhe kontrollin mbi pasuritë.
Ligji jep gjithashtu SHISH-it të drejtën për qasje në databazat shtetërore, me kusht që të rregullohet përmes marrëveshjesh ndërinstitucionale dhe të kufizohet në funksion të detyrave ligjore. Qeveria thotë se marrëveshjet do të përcaktojnë cilat të dhëna mund të përdoren, nga kush dhe për çfarë qëllimi. Por opozita dhe ekspertët kujtojnë rastet e rrjedhjes së databazave shtetërore dhe sulmeve kibernetike ku u ekspozuan të dhëna personale të qytetarëve. Metani e konsideron qasjen si mjet të domosdoshëm, por thotë se duhet të jetë e kufizuar, proporcionale dhe plotësisht e gjurmueshme.
Eksperti Metani shpreh dyshime edhe për kohën e miratimit të ndryshimeve, duke i lidhur me protestat që prej javësh kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Ai argumenton se formulime të caktuara mund të krijojnë hapësirë për interpretime të gjera në raport me monitorimin e pakënaqësisë qytetare, përmendë vendime të mëparshme si kufizimet ndaj TikTok apo debatet për monitorimin e informacionit publik. "Ndryshimet e fundit në Ligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror reflektojnë një masë kufizuese për shprehjen e pakënaqësisë qytetare me anë të protestave kushtetuese", shprehet eksperti për Radion Evropa e Lirë.
Burim: Lajmi.net, https://lajmi.net/me-shume-fuqi-per-sherbimin-informativ-ne-shqiperi-por-edhe-me-shume-pikepyetje/
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.