Sadiku i reagon Kryeprokurorit: S’je politikan, qytetarët janë të barabartë
Deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku, ka reaguar ndaj takimit të Kryeprokurorit të Shtetit, Zejnullah Gashi, me familjen Dehari.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Ermal Sadiku, ka reaguar ndaj takimit që Kryeprokurori i Shtetit ka mbajtur në zyrën e tij me familjen Dehari. Përmes një postimi në platformën sociale Facebook, Sadiku ka kërkuar që Prokuroria të trajtojë njësoj të gjithë qytetarët dhe të angazhohet për zbardhjen e çdo rasti pa dallim.
Duke përmendur familjet që prej vitesh presin drejtësi për rastet e rënda të kaluara, deputeti i LDK-së i është drejtuar drejtpërdrejt Kryeprokurorit Zejnullah Gashi me kërkesën për përgjegjësi institucionale. «Tash, mos harro: ke me i pritë në zyrën tënde të gjitha familjet që kanë raste të rënda nga e kaluara, të cilat ende presin drejtësi dhe zbardhje», ka shkruar ndër të tjera Sadiku.
Në reagimin e tij, Sadiku i ka kërkuar kryeprokurorit që të mos sillet si politikan, duke i bërë thirrje që të përmbushë detyrën me përgjegjësi ose të lëshojë postin. «S’je politikan. Ose përmbushe detyrën me përgjegjësi, ose çohu prej asaj karrige dil lyp vota», ka theksuar ai.