Ron Raçi synon largimin nga Hajduku i Splitit në dimër
Mbrojtësi i Kosovës kërkon largimin shkaku i minutave të pakta te klubi kroat.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Mbrojtësi i Kosovës, Ron Raçi, synon të largohet nga Hajduku i Splitit gjatë afatit kalimtar të dimrit, për shkak të pakënaqësisë me hapësirën e dhënë së fundi. Qendërmbrojtësi ka humbur vendin e titullarit te klubi i madh kroat, duke qëndruar në stol për pesë ndeshjet e fundit në të gjitha garat pa luajtur asnjë minutë. Paraqitjen e tij të fundit 24-vjeçari e regjistroi më 10 tetor kundër Dinamos së Zagrebit.
Gjatë këtij edicioni, futbollisti ka luajtur gjithsej 792 minuta dhe ka kontribuar me një gol. Pavarësisht se ka kaluar momente të mira me fanellën e Hajdukut dhe trajneri Gonzalo Garcia kishte shprehur publikisht vlerësimin për cilësitë e tij, situata ka ndryshuar. Raçi iu bashkua skuadrës kroate në verën e vitit të kaluar nga Prishtina për shumën prej 300 mijë eurosh, ndërsa kontrata e tij aktuale skadon në verën e vitit 2029.