Retkoceri: Mozaiku i Nënës Terezë vendoset sot në Prishtinë
Drejtori komunal njofton vendosjen e mozaikut pavarësisht përplasjeve paradite mes zyrtarëve dhe policisë.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
PRISHTINË — Prishtina është përfshirë nga zhvillime të tensionuara rreth vendosjes së një mozaiku kushtuar Nënë Terezës, teksa autoritetet komunale kanë paralajmëruar se vepra do të vendoset në sheshin kryesor gjatë ditës. Drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Leutrim Retkoceri, ka deklaruar se vepra do të vendoset, pavarësisht pengesave që u shfaqën paradite në shesh. Saktësisht, sipas tij, puna pritet të kryhet diku rreth orës 16:00, ndërsa në profilin e tij në rrjetin social Facebook ka shkruar se festa nuk ndalet në kryeqytet dhe se mozaiku vendoset, duke specifikuar për media se lokacioni do të jetë sheshi Zahir Pajaziti. Ndërkohë, paradite ka pasur përplasje mes përfaqësuesve të Komunës dhe Policisë së Kosovës pasi nuk u lejuan punimet pranë objektit të Ministrisë së Ekonomisë. Për këtë çështje, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, së bashku me zyrtarë të tjerë komunalë u ballafaquan me policinë, me pretendimin se bëhet fjalë për bllokim politik, ndërsa nga ana e autoriteteve policore u bë e ditur se punimet për mozaikin prej 15 mijë eurosh janë pezulluar me urdhër të Prokurorit të Shtetit deri në një vendim gjyqësor.



