Rënia e ndihmës ekonomike për familjet në nevojë
Numri i familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike është ulur me 21 për qind gjatë tre viteve të fundit.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Shqipëria ruan nivelin më të lartë të varfërisë në shkallë europiane, ndërkohë që qeveria shqiptare ka shmangur politikat sociale duke lënë në mëshirë të fatit mijëra familje me pensione të ulëta dhe me ndihmë ekonomike. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, në tre vitet e fundit nga viti 2023 deri në vitin 2025, numri i familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike ka rënë me 21 për qind. Vitin e kaluar rezultonin 43,648 familje që trajtoheshin me ndihmë ekonomike, nga 55,410 të tilla në vitin 2023. Qeveria ka vendosur të shkurtojë fondet për ndihmën duke lënë të pandryshuar masën e përfitimit mujor prej 7,253 lekësh. Fondi i ndihmës ekonomike u ul nga 4,8 miliardë lekë në vitin 2023 në 3,8 miliardë lekë vitin e kaluar, duke shënuar gjithashtu një tkurrje prej 21 për qind. Vlera e përfitimit për familje mbetet në nivelin prej 7,253 lekësh në vitin 2025, pothuajse në të njëjtin nivel me dy vite më parë. Kjo tregon se ulja e fondit është reflektuar kryesisht te numri më i vogël i familjeve që përfitojnë, dhe jo te përfitimet më të larta për secilën familje. Krahasimi me standardin ndërkombëtar nxjerr në pah nivelin e ulët të kësaj pagese, teksa Banka Botërore ka vendosur 8.30 dollarë në ditë për person.