KQZ refuzon mbi 2.200 pako me vota nga mërgata
Pse u skualifikuan mijëra fletëvotime jashtë vendit gjatë vlerësimit në Qendrën e Numërimit?
PRISHTINË — Procesi i numërimit të fletëvotimeve nga mërgata po hyn në fazën përfundimtare në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Deri në mëngjesin e së shtunës, zyrtarët kanë përfunduar numërimin e 46 nga 47 vendvotimet e përfaqësive diplomatike, një proces ky që ka filluar pasditen e 11 qershorit.
Votimi nëpër përfaqësitë diplomatike ishte organizuar më 6 qershor 2026, në 30 përfaqësi të ndryshme në 18 shtete të botës. Nga gjithsej 27.724 shtetas të regjistruar për këtë formë votimi, të drejtën e tyre e shfrytëzuan 22.860 persona, apo 82,46% e tyre, fletëvotimet e të cilëve janë ende duke u numëruar.
Paralelisht, të premten në mbrëmje nisi edhe vlerësimi dhe numërimi i votave të dërguara përmes postës në 23 kutitë e KQZ-së. Zarfet e vlerësuara si të rregullta janë sistemuar nëpër kuti votimi sipas komunave përkatëse, duke u përgatitur për numërimin final që përcakton fituesit e zgjedhjeve parlamentare.
Deri në fund të së premtes, KQZ ka vlerësuar mbi 60 mijë pako me fletëvotime nga jashtë vendit. Nga ky proces, 59.973 pako janë aprovuar si të vlefshme, ndërsa 2.244 të tjera janë refuzuar shkaku i mosplotësimit të kritereve ligjore të përcaktuara për këtë votim.
Arsyeja kryesore e refuzimit në 2.066 raste ishte mungesa e dëftesës së regjistrimit, një dokument unik i lëshuar nga KQZ-ja për votuesit e regjistruar. Ky votim përmes postës ishte i hapur nga 21 maj deri më 6 qershor, ku u regjistruan rreth 105 mijë shtetas.
Burim: Koha.net
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.