Gërvalla: Raporti i KE-së evidenton progres në sundimin e ligjit
Ministrja e Drejtësisë ka prezantuar në Kuvend qëndrimin lidhur me Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2026.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka prezantuar në Kuvendin e Kosovës qëndrimin lidhur me Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2026, duke vlerësuar se vendi ka shënuar rezultate pozitive në fushën e drejtësisë dhe sundimit të ligjit. Ajo theksoi rritjen e numrit të dënimeve të formës së prerë për krim të organizuar, forcimin e bashkëpunimit me Europolin dhe Eurojust-in, si dhe miratimin e ligjeve të reja. Gërvalla shtoi se në funksionimin e përgjithshëm të gjyqësorit nuk ka shënuar përparim, mirëpo jo që ka bërë hapa mbrapa, ndërsa përmendi se raporti evidenton rritjen e kohës për zgjidhjen e lëndëve penale dhe civile në shkallën e parë.
Gjatë fjalimit në seancë, ajo bëri të ditur se raporti konstaton rritje të dënimeve për korrupsion, përveç rasteve të nivelit të lartë, ku u pranua se ka përkeqësim të rezultateve në hetime, aktakuza dhe dënime përfundimtare. Sipas saj, raporti evidenton gjithashtu dyfishimin e raportimeve të sinjalizuesve pranë Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, si dhe përmendi se Kuvendi ka miratuar Ligjin kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, ndërsa Qeveria ka themeluar Fondin e Konfiskimit. Po ashtu, u veçua plotësimi i përbërjes së Këshillit Prokurorial dhe emërimi i kryeprokurorit të shtetit në korrik pas katër vitesh me ushtrues detyre.
Lidhur me Ligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, Gërvalla theksoi se mori 66 vota për, shtatë abstenime dhe asnjë votë kundër në lexim të dytë, ndërsa kryetarja e Kuvendit tashmë e ka nënshkruar atë dhe hyrja në fuqi pritet së shpejti. Ajo u ndal te shqetësimi i Komisionit Evropian për ndikimin e papërshtatshëm në sistemin e drejtësisë për interesa politike dhe ekonomike, duke theksuar se këto shqetësime i kanë shprehur edhe institucionet vendore.