Qeveria publikon projektligjin e ri për investimet në Shqipëri
Nisma e re shfuqizon ligjin e investimeve strategjike dhe atë të investimeve të huaja, por kritikohet se ruan mekanizmat e mbështetjes shtetërore.
Redaksia ZHURMA · · 4 min lexim
Qeveria shqiptare ka publikuar në platformën e konsultimit publik projektligjin e ri «Për Investimet», i cili bashkon në një kuadër të vetëm trajtimin e investitorëve vendas dhe të huaj. Ky propozim ligjor shfuqizon ligjin për investimet strategjike të vitit 2015 dhe atë për investimet e huaja të vitit 1993, duke ruajtur mekanizmat e mbështetjes shtetërore.
Një dekadë nga miratimi i ligjit për Investimet Strategjike të vitit 2015, kuadri i vjetër ligjor është kritikuar shpesh nga institucionet e Bashkimit Evropian si një kuadër favorizues për njerëzit afër pushtetit. Ky ligj është mbajtur në fuqi deri në fund të këtij viti pasi mazhoranca socialiste ka miratuar zgjatjen e efekteve të tij gjashtë herë radhazi që nga viti 2015. Në relacionin shoqërues të nismës së re, vetë qeveria pranon se zbatimi i legjislacionit të kaluar ka pasur problematika të shumta. Ndër to përmenden përqendrimi i investimeve në sektorin e turizmit, mosrealizimi apo vonesat e projekteve, monitorimi i pamjaftueshëm, mungesa e kritereve transparente dhe e kapaciteteve të qëndrueshme institucionale, si dhe rreziqet fiskale, ligjore e reputacionale nga masat e mbështetjes.
Projektligji i ri ruan ose zgjeron instrumentet që i mundësojnë shtetit mbështetjen e projekteve private përmes përdorimit të pronave shtetërore, ndërhyrjeve në infrastrukturë, konsolidimit të pronës, lehtësimit të procedurave administrative dhe vënies në dispozicion të brigjeve të detit, sipas dokumentit zyrtar. Dispozitat e reja parashikojnë konkurrim publik, analiza kosto–përfitim dhe monitorim, por përfshijnë edhe përjashtime nga gara kryesisht për investimet në prona private. Nisma krijon një fond të nxitjes së investimeve, ku mund të përfshihen pasuri të paluajtshme shtetërore në zona me potencial zhvillimi. Mbështetja do të administrohet nga Komiteti për Nxitjen e Investimeve, një strukturë që do të drejtohet nga ministri i Ekonomisë, ndryshe nga Komiteti i Investimeve Strategjike që drejtohej nga kryeministri Edi Rama. Dispozitat kalimtare përcaktojnë se çdo investitor strategjik që ka përfituar me ligjin e vjetër do të vijojë të mbështetet sipas procedurave të miratuara të atij ligji.
Projektligji i ri ndodhet aktualisht në fazën e konsultimit publik përpara se të shqyrtohet dhe të votohet në Kuvendin e Shqipërisë. Ndërkohë, ligji i mëparshëm për investimet strategjike mbetet në fuqi deri në fund të këtij viti.
Deputetë të opozitës dhe ekspertë të ekonomisë shprehin dyshime se ligji i ri do t’u japë zgjidhje problemeve të mëparshme dhe paralajmërojnë se miratimi i tij mund të sjellë sërish me transparencën e përdorimin e pronës publike. Deputetja e Partisë Demokratike dhe anëtarja e Komisionit Parlamentar për Ekonominë, Jorida Tabaku, deklaroi se nisma e re ligjore parashikon ruajtjen e mekanizmave që kanë favorizuar miqtë e pushtetit dhe se nuk përmbush standardet e përafrimit me legjislacionin europian në procesin e negociatave. Tabaku njoftoi se u ka dërguar institucioneve ndërkombëtare kundërshtimet e saj përmes një analize krahasuese, ku pretendon se nuk ka asnjë ndryshim në thelb nga ligji ekzistues përveç terminologjisë, duke përmendur se me ligjin e ri koncepti emërtohet Zona të Zhvillimit Prioritar në vend të investimeve strategjike.
Pyetje e përgjigje
Cilët ligje shfuqizohen me projektligjin e ri për investimet?
Projektligji i ri shfuqizon ligjin për Investimet Strategjike të vitit 2015 dhe ligjin për Investimet e Huaja të vitit 1993, duke i bashkuar rregullat në një kuadër të vetëm.
Kush do ta drejtojë strukturën e re të mbështetjes së investimeve?
Struktura e re e quajtur Komiteti për Nxitjen e Investimeve do të drejtohet nga ministri i Ekonomisë, ndryshe nga komiteti i mëparshëm që drejtohej nga kryeministri.
Deri kur mbetet në fuqi ligji i vjetër për investimet strategjike?
Ligji për investimet strategjike mbetet në fuqi deri në fund të këtij viti, pasi efekteve të tij u është zgjatur afati gjashtë herë me radhë që nga viti 2015.