Pse miraton Qeveria dy projektligje për përafrimin me BE-në?
Dy projektligjet synojnë rritjen e transparencës në tregjet financiare dhe përmirësimin e marrëdhënieve tregtare
TIRANË, 26 qershor — Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ibrahimaj, bëri të ditur sot se Qeveria miratoi dy projektligje në kuadër të procesit të integrimit evropian, të cilat synojnë rritjen e transparencës në tregjet financiare dhe përmirësimin e marrëdhënieve tregtare.
Ministrja Ibrahimaj informoi se aktet e miratuara janë pjesë e kapitujve të negociatave që mbulon ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe lidhen me zhvillimin ekonomik të vendit. "Dy projektligjet e miratuara janë pjesë e kapitujve që mbulon Ministria e Ekonomisë Inovacionit dhe kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit, duke i dhënë më shumë transparencë proceseve të biznesit", tha Ibrahimaj.
Sipas saj, projektligji i parë ka të bëjë me transparencën e emetuesve të titujve, një fushë që mbikëqyret nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. "Projektligji është 100% i përafruar me legjislacionin e Bashkimit Evropian. Ai përmirëson funksionimin e tregjeve të kapitalit, të cilat janë shumë të rëndësishme për krijimin e një klime më të mirë biznesi, si dhe rrit transparencën për emetimin e titujve, duke vendosur detyrime shtesë për publikimin e raporteve nga emetuesit", u shpreh ministrja.
Ibrahimaj tha se Qeveria miratoi edhe një tjetër projektligj për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore tregtare, i cili është gjithashtu i përafruar me direktivat e Bashkimit Evropian. "Ky projektligj rregullon marrëdhëniet ndërmjet tregtarëve dhe synon të garantojë më shumë drejtësi në pagesat ndërmjet tyre, duke përcaktuar rregulla më të qarta për afatet e përmbushjes së detyrimeve kontraktore", tha Ibrahimaj.
Burim: ATSH
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.