kosove mjedis

Pse vendosen laurat në hyrje të Parkut Kombëtar "Sharri"?

A janë ato për pagesa hyrëse apo kufizim lëvizjeje, si pretendon opinioni publik?

Pse vendosen laurat në hyrje të Parkut Kombëtar "Sharri"?
Foto: Wikimedia Commons

PRISHTINË — Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPH) ka reaguar ndaj pretendimeve se vendosja e laurave (rampave) në hyrje të Parkut Kombëtar "Sharri" do të sjellë pagesa hyrëse ose kufizim lëvizjeje për banorët dhe pronarët lokalë.

Në një njoftim zyrtar, MMPH sqaron se laurat bazohen në plane dhe legjislacion të miratuar që nga viti 2020, duke u bazuar në praktikat e parqeve kombëtare në vendet e zhvilluara. Qëllimi kryesor është fuqizimi i kontrollit dhe monitorimit të zonës, si dhe vendosja e rendit dhe ligjit.

Sipas ministrisë, laurat nuk synojnë të vendosin pagesa apo të kufizojnë lëvizjen në prona private. Përkundrazi, ato synojnë të parandalojnë ndërtimet ilegale, prerjet e pyjeve, gjuetinë e paligjshme, si dhe transportin dhe tregtinë e ndaluar brenda parkut.

Procesi i vendosjes së laurave ka filluar në vitin 2020 me përgatitje teknike dhe ka vazhduar në 2024 me një projekt të detajuar. Ky projekt është pjesë e zbatimit të dokumenteve strategjike dhe ligjore për menaxhimin e parkut, përfshirë Planin Hapësinor për Parkun Kombëtar "Sharri", Planin Menaxhues, Rregulloren për Rendin e Brendshëm të Parqeve Kombëtare, dhe Ligjin për Mbrojtjen e Natyrës.

MMPH thekson se vendosja e laurave nuk do të paraqesë pengesa për komunitetin lokal. Prona private do të mbetet e aksesueshme pa kufizime dhe pa pagesa, ndërsa banorët do të kenë përfitime nga statusi i parkut, si shfrytëzimi i pyjeve, kullotave, frutave pyjore dhe burimeve të ujit.

Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtar "Sharri" (DAPK Sharri) ka bërë thirrje përfaqësuesve të komunitetit lokal të marrin informacione zyrtare nga drejtoria dhe t’i njoftojnë banorët, duke paralajmëruar për dezinformata. Në njoftim theksohet se protesta e paralajmëruar kundër laurave nuk synon mbrojtjen e pronës private, por përkrahjen e veprimeve të paligjshme.

MMPH këshillon komunitetin lokal të mos bie pre e dezinformatave dhe propagandave keqdashëse, duke u ofruar takime me përfaqësuesit e komunitetit për sqarime shtesë.

Burim: PrizrenPress
— Redaksia ZHURMA

Si ju la ky artikull?

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.

Vazhdo në dhomën live

Të gjitha →
  1. Pse pishinat e QKUK-së janë jashtë funksionit?
  2. Çfarë po bën Dolce pas daljes nga Big Brother VIP Kosova?
  3. Pse Kosova po ecën drejt një krize të re institucionale?
  4. Pse nuk mund të gazifikohet thëngjilli në Kosovë?

Vazhdo leximin