Pse pretendon Rizvanolli se rryma e blerë për 1 miliard euro përfshin edhe tranzitin?
A janë të sakta dokumentet doganore që tregojnë se Kosova ka blerë rrymë për 1 miliard euro pa tranzit?
PRISHTINË — Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka tentuar të mohojë shifrat zyrtare të doganës për blerjen e rrymës elektrike, duke pretenduar se shifra 1 miliard euro përfshin edhe tranzitin e rrymës.
Në një deklaratë të fundit, Rizvanolli ka pohuar se "shifrat e importit të doganës, të cilave i referohen, pothuajse të gjitha e përfshijnë edhe energjinë që kalon transit nëpër Kosovë". Por dokumentet zyrtare tregojnë të kundërtën.
Sipas Udhëzimit Administrativ MF Nr. 03/2015, Neni 28, vendi i importimit të mallrave është Kosova vetëm kur mallrat lëshohen në qarkullim të lirë në territorin e saj. Kodi Doganor dhe i Akcizave Nr. 08/L-247 bën dallim të qartë ndërmjet importit dhe tranzitit: importi nënkupton mallra që hyjnë në Kosovë dhe vendosen në qarkullim të lirë, ndërsa tranziti është kalim i mallrave pa pagesë të detyrimeve doganore.
Dokumentet doganore tregojnë se importi i rregullt i rrymës elektrike regjistrohet me kodin IM4, që do të thotë mallra të blera dhe që qëndrojnë në Kosovë. Në të dhënat e doganës, të gjitha kolonat për importin e rrymës kanë kodin IM4, jo T1 ose T2, të cilët përdoren për tranzit.
Vetëm në vitin 2025, Kosova ka blerë rrymë elektrike për 250 milion euro, sipas të dhënave zyrtare. Rizvanolli, megjithatë, ka pretenduar se "shifra reale është diku rreth 30 deri 40% më e ulët", pa ofruar ndonjë dokument apo shifër të saktë për të mbështetur pretendimin e saj.
Dokumentet zyrtare konfirmojnë se Kosova ka blerë rrymë për afër 1 miliard euro në gjashtë vitet e fundit, pa përfshirë tranzitin. Rizvanolli vazhdon të mohojë këto të dhëna, duke iu referuar shifrave të doganës si "të pasakta".
Burim: Vox Kosova
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.