Çfarë kërkojnë protestuesit në letrën drejtuar ambasadave?
Grupi koordinator i protestave në Tiranë kërkon dorëheqjen e Edi Ramës dhe krijimin e një qeverie teknokrate.
TIRANË — Lëvizja qytetare që po organizon protestat masive në kryeqytet ka ndërkombëtarizuar aksionin e saj përmes një letre zyrtare drejtuar ambasadorëve dhe shefave të misioneve të vendeve perëndimore në Shqipëri. Dokumenti parashtron pesë kërkesa thelbësore që aktivistët i cilësojnë si të panegociueshme për rinovimin demokratik të vendit.
Kërkesa kryesore është dorëheqja e menjëhershme e Kryeministrit Edi Ramës dhe e qeverisë aktuale. Protestuesit, që kërkojnë dorëheqjen e Ramës, propozojnë krijimin e një qeverie tranzitore teknokrate dhe jopartiake. Kjo qeveri do të kishte një mandat dymbëdhjetëmujor me qëllim mbikëqyrjen e një procesi reformash të besueshëm.
Pika e tretë e letërës fokusohet te një reformë kushtetuese gjithëpërfshirëse që duhet miratuar përmes një referendumi popullor. Kjo reformë synon barazinë e plotë para ligjit, ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe rregullimin e financimit të partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile.
Një nga kërkesat më specifike është vendosja e kufizimit të mandateve për postin e Kryeministrit. Aktivistët kërkojnë që asnjë individ të mos shërbejë për më shumë se dy mandate, qofshin ato të plota apo të pjesshme, gjatë gjithë karrierës së tij politike.
Në aspektin legjislativ, grupi koordinator kërkon shfuqizimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe Ligjin për Trashëgiminë Kulturore. Gjithashtu, kërkohet anulimi i plotë i "Paketës së Maleve" dhe shfuqizimi i kuadrit ligjor që rregullon Investimet Strategjike.
Si pikë të fundit, protestuesit kërkojnë hartimin e një kontrate të re sociale midis qytetarëve dhe shtetit. Kjo kontratë duhet të ndërtohet përmes konsultimeve të gjera me intelektualë të pavarur, ekspertë teknikë dhe përfaqësues jopartiakë të shoqërisë civile, në përputhje me propozimet e lëvizjes.
Letra mbann firmat e 13 përfaqësuesve të grupit koordinues, përmpos Entelës Kojë dhe Arben Kolës, nënshkruhet edhe nga Megan Balaj, Edviol Kulluri, Luçjana Kokaj, Gentjan Progni, Gjon Ndoj, Etleva Merko, Everest Bardhi, Përparim Gjeka, Mevlan Mata, Ilir Xhemalaj dhe Marjen Rama.
Burim: BalkanWeb
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.