Pas 15 vjetësh, ngrihet aktakuzë në mungesë për vrasjen e Diana Kastratit
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj të dyshuarit A.J., pesëmbëdhjetë vjet pas vrasjes së Diana Kastratit.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 2 min lexim
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë në mungesë ndaj A.J., të dyshuarit për vrasjen e Diana Kastratit, më 22 tetor 2026. Përveç veprës penale të vrasjes, i dyshuari akuzohet edhe për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve. Diana Kastrati u vra në moshën 27-vjeçare, më 18 maj 2011, në Prishtinë, pasi ishte qëlluar me armë zjarri në qafë. Sipas dokumenteve gjyqësore, ajo kishte bashkëjetuar për më shumë se dhjetë vjet me të dyshuarin dhe kishin një vajzë. Më 17 janar 2011, ajo kishte paraqitur padi për shkëputjen e bashkësisë jashtëmartesore dhe ishte zhvendosur te prindërit e saj për shkak të përkeqësimit të marrëdhënieve. Më 26 prill të po atij viti, për shkak të kërcënimeve, ajo iu drejtua Gjykatës Komunale në Prishtinë duke kërkuar urdhër për mbrojtje emergjente, mirëpo kërkesa mbeti pa përgjigje dhe vetëm 22 ditë më vonë ajo u vra.
Rasti është shndërruar në një simbol të dështimit institucional në mbrojtjen e grave. Prindërit e saj, Gëzim dhe Makfire Kastrati, dërguan lëndën në Gjykatën Kushtetuese, e cila në shkurt të vitit 2013 konstatoi se Gjykata Komunale kishte dështuar të vepronte brenda 24 orëve sipas ligjit, duke shkelur të drejtën për jetë dhe mjetet juridike. Pas vendimit të Kushtetueses, prindërit ngritën padi civile dhe në vitin 2019 Gjykata Themelore në Prizren vendosi që shteti t'u paguante 95 mijë euro dëmshpërblim, ndërsa në shkurt të vitit 2023 Gjykata e Apelit e uli shumën në 30 mijë euro, duke përcaktuar që Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Qeveria ta paguajnë në mënyrë solidare. Gjatë këtyre viteve, autoritetet e Kosovës kishin hasur në pengesa për ekstradimin e të dyshuarit nga Spanja, ndërsa në maj të vitit 2022 organizata QIKA kishte njoftuar se Spanja kishte refuzuar ekstradimin e tij.
Lexo edhe
Më shumë →Kjo histori — 3 zhvillime
- 3 nëntor Pas 15 vjetësh, ngrihet aktakuzë në mungesë për vrasjen e Diana Kastratit · ky artikull
- 3 nëntor Prokuroria cakton seancën më 10 nëntor për rastin e vrasjes së Diana Kastratit
- 3 nëntor Detajet e aktakuzës për vrasjen e Diana Kastratit nga ish-partneri