Predikuesi islam Elvedin Peziq shoqërohet nga Policia e Kosovës
Policia e Kosovës shoqëron për intervistim informues predikuesin nga Bosnjë e Hercegovina, Elvedin Peziq, para një aktiviteti në Vitomiricë të Pejës.
PRISHTINË — Predikuesi islam nga Bosnjë e Hercegovina, Elvedin Peziq, është shoqëruar nga Policia e Kosovës për intervistim informues, para një aktiviteti që ishte planifikuar të mbahej në Vitomiricë të Pejës. Sipas organizatorëve, ai ishte transferuar në një stacion policor në Prishtinë dhe pritej të mbahej deri në gjashtë orë për verifikimin e identitetit.
Qëllimi i vizitës së tij ishte promovimi i një libri. Bashkë me të është shoqëruar edhe predikuesi Mithad Qeman, ndërsa aktivitetet e tyre ishin planifikuar në Vitomiricë, Dobrushë të Istogut dhe Reçan të Dragashit. Peziq, i njohur si predikues konservator që identifikohet me rrymën selefiste, ka nxitur më parë polemika me deklaratat e tij, përfshirë një rast të vitit 2021 kur kishte deklaruar se rënia morale e shoqërisë perëndimore kishte filluar kur gruaja ishte larguar nga shtëpia.